Ish-ministri i Jashtëm i Federatës serbo-malazeze Vuk Drashkoviç, e ripërsëritit edhe njëherë se Serbia e ka humbur Kosovën dhe këtë realitet të hidhur serbët duhet që ta pranojnë.

Ai këshilloi presidentin serb Aleksandar Vuçiç që të bëjë atë që imponon arsyeja, realiteti dhe të mos t’i frikësohet rrezikut.

“Realitet i vrazhdët. Me Rezolutën 12-44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më 10 qershor të vitit 1999, pas kapitullimit të regjimit të Slobodan Milosheviqit në luftën me Aleancën e NATO-s, shteti i Serbisë u përzu njëherë e përgjithmonë nga Kosova. U përzu! Dhe ne këtë fakt duhet të pranojmë dhe ta njohim patjetër. Për këtë rezolutë votoi Rusia dhe luajti një rol të rëndësishëm në hartimin e saj. Kina nuk ishte kundër. I gjithë Këshilli i Sigurimit ishte për këtë dëbim të shtetit të Serbisë nga Kosova”, tha Drashkoviç për televizionin N1.

Drashkoviç nuk e kupton angazhimin aktual të Moskës dhe Pekinit për gjoja mbrojtjen e sovranitetit serb mbi Kosovën sepse këto vende dhanë kontribut të rëndësishëm për shkëputjen e Kosovës:

“Cili është qëllimi i kësaj politike që populli serb këtu të mbahet në një hipnozë, në një bindje të rrejshme se Kosova është edhe më tej krahinë autonome e Serbisë? Pra, Kosova është e humbur. Ky është realiteti”, vazhdoi ai.

Politikani serb shtoi se pavarësisht kësaj, nuk është humbur populli serb në Kosovë, thesari kulturor, kishat, manastiret për ruajtjen dhe mbrojtjen e të cilave duhet të angazhohet shteti serb, por tërheq vërejtjen, kjo mund të bëhet vetëm në një bashkëpunim strategjik me Evropën dhe Amerikën, por edhe me një marrëveshje të sinqertë me shqiptarët në Kosovë. Duke folur për zgjidhjen e kontestit, ish-kryediplomati jugosllav, ka riargumentuar idenë e tij të moçme se Kosova dhe Serbia mund të jetojnë ashtu siç kanë jetuar dy Gjermanitë, pas Luftës së Dytë Botërore.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb