Universiteti “Luarasi” vazhdon të ndjekë traditën e leksioneve të hapura duke sjellë pranë studentëve ekspertët më të mirë. Këtë të martë, i ftuar në Fakultetin e Drejtësisë ishte Afrim Krasniqi, politolog i njohur, njëkohësisht drejtues i Institutit të Studimeve Politike.

Ai diskutoi me studentët e Luarasit mbi bilancin e qeverisjes vendore në Shqipëri, veçanërisht në ato parime që kanë interes qytetarët. Nën praninë e Rezana Konomit, dekane e Fakultetit të Drejtësisë, Krasniqi ftoi studentët e interesuar që të bëhen pjesë e projekteve në kuadër të praktikave për t’u përgatitur profesionalisht për të ardhmen.

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike ka diskutuar me studentët e Drejtësisë edhe mbi transparencën e llogaridhënien e organeve të qeverisjes vendore në vendin tonë. Bilanci realizohet me synim për të analizuar se cilat janë hapat për të përmirësuar qeverisjen vendore dhe për të përfshirë universitetet në këtë proces.

Krasniqi e vlerësoi Fakultetin Juridik të Luarasit si një ndër fakultetet më të mira në vend, me kapacitete në interes për Institutin e Studimeve Politike.

“Është e rëndësishme që të bëjmë një bilanc të gjendjes për të parë se çfarë ka funksionuar mirë dhe çfarë ka funksionuar gabim dhe kush është roli që mund të luajnë qendrat akademike universitare, siç është universiteti “Luarasi” në përmirësimin e bazave ligjore, në përmirësimin e praktikave të mirëqeverisjes dhe në përfshirjen e studentëve dhe stafeve pedagogjike në këtë lloj procesi.
Instituti i Studimeve Politike dhe universiteti “Luarasi” kanë rënë dakord për të bërë një shkëmbim eksperiencash, për shkak se në këtë universitet gjendet një nga fakultetet juridike më të mira në Shqipëri dhe si i tillë ka kapacitete dhe interesa për ne, tema të cilat ne i kemi”,-tha Krasniqi.

Në kuadër të kombinimit të teorisë me praktikën, universiteti “Luarasi” do të vijojë me leksionet e hapura duke sjellë eksperiencat më të mira për studentët. Ofrimi i praktikave të tilla bashkëkohore synon formimin e liderëve të së ardhmes, të denjë për tregun e punës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb