TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, ka listuar një sërë pyetjesh, të cilat ia drejton ministrit të ri të Brendshëm Sandër Lleshit, i cili u propozua nga shefi i qeverisë Edi Rama, por më parë ai duhet të dekretohet në detyrë nga Presidenti i Republikës.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Pollo pohon se nuk ka asnjë paragjykim për figurën dhe emrin e tij, por thekson se Sandër Lleshi ka detyrim parësor të informojë për disa çështje opinionin publik.

“Nuk kam paragjykim për zotin Sandër Lleshi, këshilltar i Kryeministrit për çështjet e sigurisë që nga viti 2013 dhe tashmë i propozuar për postin e Ministrit të Brendshëm nga Edi Rama. Por do të thoja se në këtë moment publiku ka të drejtë të dijë dhe zoti Lleshi, mundësisht para votëbesimit e betimit të tij, ka për detyrë të informojë për sa vijon:

Cilat janë këshillat që z. Lleshi i dha Kryeministrit:

1- kur u mor vesh se avionë të vegjël transportonin drogë nga Shqipëria në Itali duke përdorur aeroporte ushtarake si Gjadri apo edhe aerodrome e pista rrethanore;

2- kur u bë e qartë se mohimi nga Ministria e Mbrojtjes i përdorimit të aeroporteve nga avionët e drogës rezultoi i pavërtetë;

3-Kur Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Bazo në maj 2014 pretendoi publikisht se është i pamundur trasporti i drogës me avion “meqë hapsirën ajrore të Shqipërisë e monitoron NATO” çka ishte tërësisht e gënjeshtërt pasi NATO nuk ka objekt aviacionin civil e aq më pak aeroplanët privatë;

4- kur debatohej në publik se mbjellja masive e drogës vendin tonë në vitin 2016 përbënte rrezik për sigurinë publike e kombëtare;

5-Kur raportet e Europolit, Departamentit të Shtetit të ShBA, Zyrës për Drogën e Krimin të OKB (UNODC) dhanë alarmin pas vitit 2016 për kanabizimin e vendit e pasojat e rrezikshme të tij;

6-Kur rezultoi se bandat e narkotrafikantëve kontrollonin radarët e bregdetit dhe i fiknin ata sa herë u nevojitej atyre për fshehur transportet e drogës.

7-Kur një ministër i qeverisë Rama sugjeroi ndërhyrjen antidrogë të Ushtrisë pasi Policia konsiderohej e kanabizuar;

8- kur u hartua e miratua ligji mbi Forcat e Armatosura, i cili u rrëzua në vitin 2014 nga Gjykata Kushtetuese pasi transferonte të gjithë pushtetet e organeve kushtetuese tek kryeministri duke e bërë atë “edhe komandant edhe komisar” siç u shprehën ekspertët”, thuhet në statusin e Pollos.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb