Gjermania e dyfishoi në 120 milionë euro kontributin e saj financiar në një fond ndërkombëtar për mirëmbajtjen e ish-kampit nazist të shfarosjes në Aushvic-Birkenau, në bazë të një marrëveshje të nënshkruar sot, në Poloni, nga ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

Polonia e nisi më shumë se 10 vjet më parë idenë e këtij fondi të përhershëm për ruajtjen e kësaj zone simbol të masakrës së hebrenjve nga Gjermania naziste, që ndodhet në territorin e saj.

“Bëhet fjalë për të vazhduar atë që Gjermania ka bërë me vite në kontekstin e përgjegjësisë së saj historike”, tha Maas në një deklaratë nga muzeu i Aushvicit.

“Ne duam të japim kontributin tonë në këto punime, në mënyrë që të përjetësojmë kujtesën, sepse përgjegjësia gjermane në Holokaust nuk do të përfundojë kurrë”, shtoi ai.

I mbyllur për vizitorët që nga mesi i marsit, për shkak të pandemisë, muzeu bëri një apel për ndihmë financiare në fillim të qershorit, në mënyrë që të vazhdojë misionin e tij të përditshëm të kujtesës dhe edukimit.

Muzeu, i cili zë 200 hektarë, vizitohet çdo vit nga më shumë se dy milionë persona.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb