Polonia do të vendosë karantinë të detyrueshme për udhëtarët nga Republika Çeke dhe Sllovakia, si edhe do të rikthejë disa kufizime në një nga rajonet e saj më të prekura nga COVID-19, njoftoi sot ministry polak i Shëndetësisë, Adam Niedzielski.

“Numri i infektimeve të reja për frymë i regjistruara në Republikën Çeke dhe Sllovaki është dukshëm më i lartë sesa në Poloni, gjë që nxit vendimin për vendosjen e karantinës”, tha ai gjatë një konference shtypi në Varshavë.

Personat e vaksinuar me dy doza dhe ata që mund të paraqesin një test negativ të COVID-19 jo më të vjetër se 48 orë do të përjashtohen nga karantina.

Qeveria vendosi, gjithashtu, të rikthejë disa kufizime COVID-19 në një nga rajonet e saj veriore, Warmian-Masurian, ku numri i fundit i infektimeve është mbi dy herë më i lartë se mesatarja kombëtare.

Në atë rajon, që nga e shtuna, të gjitha shkollat ​​do të kthehen në mësimin në distancë, ndërsa hotelet, muzetë, kinematë, qendrat tregtare, si edhe pishinat, do të mbyllen.

Në pjesën tjetër të vendit, rregullat aktuale janë zgjatur deri më 14 mars.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb