Kujtimi i krimeve naziste është i pandashëm nga identiteti gjerman, deklaroi sot kancelarja gjermane, Angela Merkel, në ish-kampin nazist të Auschwitz-it.

Vizita e parë e saj në këtë qendër, simbol i Holokaustit, ndodhi në momentin kur partia e djathtë që ndodhet që prej dy vitesh në Bundestag, mbështet fundin e kulturës së pendimit.

“Të kujtohesh për krimet, të përmendësh autorët e tyre dhe të bësh një homazh të denjë për viktimat është një përgjegjësi që nuk ndalet kurrë. Kjo është e panegociueshme dhe e pandashme nga vendi ynë. Të jesh i vetëdijshëm për këtë përgjegjësi është një pjesë e identitetit tonë kombëtar”, theksoi kancelarja, drejtuesja e parë gjermane që viziton Auschwitz-in që prej vitit 1995.

Me zërin që i dridhet, ajo këmbënguli në faktin se ishte e rëndësishme t’i jepje Auschwitz-it emrin e tij të plotë. I vendosur në Poloninë e sotme, kampi ndodhej në një rajon të aneksuar në vitin 1939 nga Reich dhe administrohej nga gjermanët.

“Është e rëndësishme t’i emërtojmë qartë kriminelët. Ne, gjermanët u detyrohemi viktimave dhe vetes tonë”, deklaroi ajo.

Në fjalimin e saj, ajo paralajmëroi kundër rritjes së racizmit dhe përhapjes së urrejtjes si dhe kundër antisemitizmit që kërcënon komunitetin hebre në Gjermani, në Europë dhe në mbarë botën.

Kancelarja shoqërohej, gjatë vizitës së saj, nga kryeministri polak, Mateusz Morawiecki dhe nga një i mbijetuar i Auschwitz, Bogdan Bartnikowski, 87 vjeç si dhe nga përfaqësuesit e komunitetit hebre.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb