Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki kritikoi  marrëveshjen amerikano-gjermane për gazsjellësin ”Nord Stream 2” duke e konsideruar atë si një akt “egoist” nga aleatët e Polonisë.

SHBA vendosën të heqin sanksionet kundër kompanive të përfshira në projekt në këmbim të angazhimit të Gjermanisë për të investuar në projekte ukrainase dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë nëse politika e saj vlerësohet si armiqësore.

“Unë shpreh mosmiratimin tim që aleatët tanë i janë afruar ndërtimit të këtij gazsjellësi në një mënyrë egoiste. Që kur u shfaq ajo ide, ne jemi përpjekur të bindim aleatët tanë amerikanë dhe evropianë se është një projekt që ndihmon Rusinë”, theksoi Mateusz Morawiecki.

Ai shtoi se një kthesë e SHBA mbi gazsjellësin ”Nord Stream 2” ka çuditur shumë vende.

Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore argumentojnë se projekti i gazsjellësit, i cili anashkalon rajonin e tyre, mund të përdoret nga Kremlini për të bërë presion mbi anëtarët lindorë të BE dhe Ukrainën.

Ai shtoi se pesë vjet më parë Polonia vendosi të bëhej e pavarur nga Rusia për sa i përket furnizimit me energji.

“Sot ne jemi në një pozitë shumë më të mirë”, tha ai.

“Ne e kuptojmë që ndërtimi i gazsjellësit ka të ngjarë të jetë i suksesshëm. Sidoqoftë, ne polakët jemi të sigurt falë veprimeve tona parandaluese”, shtoi ai.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb