Polakët u mblodhën në qendrat e qyteteve anembanë vendit të dielën për të mbrojtur një rrjet televiziv në pronësi të një kompanie mediatike amerikane, i cili është vënë në shënjestër të qeverisë së krahut të djathtë, si dhe për të mbrojtur lirinë e medias në këtë vend të Bashkimit Evropian ku normat demokratike po dobësohen.

Mes protestuesve kishte edhe polakë të moshuar, të cilët dekada më parë i rezistuan regjimit komunist e që druhen se demokracia, për të cilën kontribuuan, tashmë po humbet. Shumë polakë besojnë se qeveria populiste e krahut të djathtë po e largon vendin nga Perëndimi dhe po adopton një model autoritar më pranë atij të Turqisë apo Rusisë, duke u përpjekur gjithashtu për të ushtruar kontroll politik mbi gjykatat dhe për të heshtur mediat kritike.

Kreu i partisë kryesore opozitare Donald Tusk, u bëri thirrje polakëve të tregojnë solidaritet dhe të ndryshojnë udhëheqësit e tyre.

Le t’i largojmë ata që janë në fuqi!“, i tha zoti Tusk turmës së mbledhur në Varshavë. Zoti Tusk, ka shërbyer më parë në postin e kryeministrit të Polonisë dhe si president i BE-së.

Protestat u thirrën pasi parlamenti miratoi papritur të premten një projektligj i cili do të detyronte rrjetin televiziv amerikan Discovery Inc. të shiste aksionet kontrolluese që gëzon në TVN, rrjetit më të madh televiziv të Polonisë.

Dhoma e ulët e parlamentit votoi një herë rreth projektligjit në verë, por Senati vendosi veton. Por pa asnjë njoftim, parlamenti e risolli papritur projektligjin dhe dhoma e ulët e hodhi poshtë veton e Senatit.

Fati i projektligjit tashmë ndodhet në duart e Presidentit Andrzej Duda. Protesta kryesore të dielën u zhvillua përpara pallatit presidencial në Varshavë. Demonstruesit kërkuan nga zoti Duda t’i vendosë veton projektligjit.

Udhëheqësit e qeverisë e kanë mbrojtur ligjin duke argumentuar se në funksion të sigurisë kombëtare është e rëndësishme që asnjë kompani jashtë Evropës të mos të kontrollojë ato kompani në vend, që ndihmojnë në formimin e opinionit publik.

TVN-ja ka një kanal tërësisht informativ, TVN24, dhe një emision lajmesh në mbrëmje me qasje kritike ndaj qeverisë, i cili ndiqet nga miliona njerëz. Kritikët besojnë se qeveria e krahut të djathtë është thjesht duke vepruar për të heshtur një media e cila kërkon që pushteti të japë llogari.

Shumë prej folësve në protesta akuzuan autoritetet se po sulmojnë themelet demokratike të Polonisë. Turmat brohorisnin “Media e lirë!”

Jarosław Kurski, zëvendësredaktor i Gazeta ‘Wyborcza”, një gazetë liberale që ka zbuluar një sërë skandalesh qeveritare dhe është paditur shumë herë nga aleatët e qeverisë, akuzoi partinë në pushtet se po kërkon të heshtë mediat për të vjedhur zgjedhjet e ardhshme, të cilat janë planifikuar të mbahen në vitin 2023.

Mafia ka pushtuar vendin. Ata duan të shtien ne dorë të gjitha aspektet e jetës publike“, tha zoti Kurski.

Shtetet e Bashkuara, një aleat i ngushtë i Varshavës, u kanë kërkuar ligjvënësve që të mos miratojnë ligjin. I ngarkuari me punë i SHBA-së, Bix Aliu, tha se Uashingtoni ishte “jashtëzakonisht i zhgënjyer” nga miratimi i projektligjit dhe i kërkoi zoti Duda “të përdorte pozitën e tij për të mbrojtur fjalën e lirë dhe biznesin”, siç tha ai.

Zoti Duda, një aleat i partisë në pushtet, gjatë periudhës së verës la të kuptohet se nuk do ta mbështeste ligjit, por të premten tha se kishte nevojë ende ta analizonte.

TVN-ja filloi mbledhjen e firmave në internet të dielën për një peticion ku i bëhej thirrje zotit Duda t’i vendosë veton projektligjit. Deri të dielën në mbrëmje peticioni ishte nënshkruar nga mbi 1.7 milionë vetë.

Sulmi ndaj lirisë së medias ka pasoja të mëdha për të ardhmen e Polonisë”, thuhej në peticionin drejtuar presidentit. “Marrëdhëniet e ndërsjella me SHBA-në, aleatin dhe garantuesin më të madh të sigurisë së vendit tonë, po shkatërrohen. Ne nuk mund ta lejojmë!”, shkruhej më tej.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb