Ministri i ardhshëm polak i Arsimit, Przemyslaw Czarnek doli sot pozitiv me koronavirus, gjë që rezultoi në shtyrjen e ceremonisë së betimit për ministrat e rinj dhe karantinë për disa zyrtarë qeveritarë.

“Zyrtarët që kanë patur kontakt me Czarnek, që nga e premtja, duhet t’i nënshtrohen karantinës”, njoftoi Kryeinspektorati Sanitar në Twitter sot pasdite.

“Kjo do të thotë se zëvendëskryeministri Jacek Sasin, ministri në largim i Arsimit, Dariusz Piontkowski, kreu i kancelarisë së kryeministrit, Michal Dworczyk dhe një zëvendësministër tjetër do të duhet të bëjnë karantinë”, shkroi zëdhënësi i qeverisë, Piotr Mueller, në Twitter.

Për shkak të rezultatit pozitiv për COVID-19 të Czarnek, kryeministri Mateusz Morawiecki i kërkoi presidentit Andrzej Duda të shtyjë ceremoninë e betimit për ministrat e rinj, i planifikuar për sot.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb