Ushtria polake do të marrë kryesimin e Task Forcës së Përbashkët të Gatishmërisë Shumë të Lartë (VJTF) të NATO-s.

Sipas një deklarate të NATO-s, Polonia do të marrë përsipër detyrën nga Gjermania më 1 janar të vitit 2020 dhe do t’ia dorëzojë Turqisë më 2021.

Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, ka falënderuar Poloninë për udhëheqjen e forcës.

“Task Forca e Përbashkët e Gatishmërisë Shumë të Lartë, Forca jonë Drejtuese, është një kontribut thelbësor në mbrojtjen tonë kolektive dhe një shfaqje e fortë e aftësive të Polonisë”, ka shtuar ai.

Sipas deklaratës, rreth 6.000 ushtarë, prej të cilëve 3.000 nga Polonia, do të shërbejnë në këtë forcë.

“Njësi nga Bullgaria, Republika Çeke, Hungaria, Italia, Lituania, Letonia, Portugalia, Rumania, Spanja, Sllovakia, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar gjithashtu do të shërbejnë për forcën. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin VJTF-në me fuqi ajrore dhe mbështetje tjetër luftarake”, thuhet më tej.

VJTF u themelua në Samitin e Uellsit në vitin 2014 si përgjigje ndaj aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga ana e Rusisë dhe trazirave në Lindjen e Mesme.

Ajo është pjesë e Forcës së Reagimit të NATO-s e përbërë nga forcat tokësore, ajrore, detare dhe speciale.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb