Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo do të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin dhe Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov javën e ardhshme, në një atmosferë marrëdhëniesh të acaruara mes dy vendeve për një numër temash përfshirë Venezuelën, Iranin dhe ndërhyrjet ruse në zgjedhjet e 2016-ës.

Sekretari i Shtetit niset të dielën për në Moskë për vizitën e tij të parë në Rusi si shef i diplomacisë amerikane, shkruan VOA. Zyrtarë të lartë amerikanë, ndër ta zoti Pompeo dhe Nënpresidenti Mike Pence, e kanë akuzuar Rusinë se po punon kundër udhëheqësit të opozitës, Juan Guaido, duke mbështetur Presidentin Nicolas Maduro.

Uashingtoni e akuzon Rusinë se po përpiqet të rrisë influencën në hemisferën perëndimore përmes veprimeve në Venezuelë. Zoti Pompeo mbërrin të hënën në Rusi, ku do të takohet me diplomatë amerikanë në ambasadën amerikane në Moskë, para takimit me përfaqësues të biznesit amerikan në kryeqytetin rus. Ai do të vendosë një kurorë tek Varri i Ushtarit të Panjohur në nderim të atyre që luftuan kundër nazizmit.

Të martën Sekretari amerikan i Shtetit MIke Pompeo do të shkojë në Soçi për bisedime me Presidentin Putin dhe Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Kjo vizitë e zotit Pompeo zhvillohet ndërkohë që kanë filluar përgatitjet për takimin e G-20 në Osaka të Japonisë ku do të marrin pjesë Presidenti Trump dhe Presidenti Putin.

“Është në interesin tonë të kemi marrëdhënie më të mira me Rusinë,” tha një zyrtar i lartë. “Kur kemi shqetësime, do t’i ngremë direkt, do të përpiqemi të ngushtojmë mospajtimet dhe të gjejmë fusha bashkëpunimi”. Zyrtari nuk pranoi të bënte komente lidhur me mundësinë e një takimi mes dy presidentëve ndërkohë që ndodhen në Osaka për takimin e G-20.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb