EGJIPT
Mike Pompeo, ka kritikuar ashpër politikat për Lindjen e Mesme të administratës së ish-Presidentit Barak Obama.
Në një fjalim në Universitetin Amerikan të Kajros, ai kritikoi ish-presidentin për një vizion të gabuar që e uli rolin e Amerikës në rajon, dëmtoi miqtë e vjetër të saj dhe inkurajoi armikun kryesor: Iranin.
Në fjalim zoti Pompeo i quajti politikat e paraardhësit të Presidentit Donald Trump “naïve” dhe “të drojtura” në përballjen me sfidat që sollën revoltat, të cilat tronditën Lindjen e Mesme, duke përfshirë Egjiptin, në fillim të vitit 2011:
“Çfarë mësuam nga e gjithë kjo? Mësuam se kur Amerika tërhiqet, shpesh vjen kaosi. Kur i lëmë pas dore miqtë tanë, kjo shkakton zemërim. Dhe kur bashkohemi me armiqtë tanë, ata avancojnë,” tha zoti Pompeo.
Sekretari i Shtetit fajësoi veçanërisht vizionin e paraqitur nga zoti Obama në Kajro në vitin 2009 ku foli për “një fillim të ri” në marrëdhëniet e SHBA me vendet e botës arabe dhe muslimane.
“Rezultatet e këtyre gabimeve kanë qenë të tmerrshme,” tha zoti Pompeo. Por ai shtoi se kjo epokë tashmë është kapërcyer.
“Tani ka ardhur vërtet një fillim i ri.” Brenda vetëm 24 muajve, në fakt më pak se dy vjet, Shtetet e Bashkuara nën Presidentin Trump kanë rivendosur rolin e tyre tradicional si një forcë e së mirës në këtë rajon”, tha Sekretari i Shtetit.