Sekretari amerikan i Shteti, Mike Pompeo, i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të zgjasë embargon e armëve ndaj Iranit. Ai ka paralajmëruar se lejimi që dokumenti të skadojë në tetor, do të shkaktonte paqëndrueshmëri në Lindjen e Mesme. “Mos më dëgjoni vetëm mua ose Shtetet e Bashkuara, dëgjoni vendet e rajonit, nga Izraeli, Gjiri, vendet në Lindjen e Mesme të cilët janë më të ekspozuar ndaj predikimeve të Iranit. Ato po flasin me një zë të vetëm: zgjasni embargon e armëve”,- tha Pompeo.

Shtetet e Bashkuara javën e kaluar zyrtarisht i kërkuan Këshillit të Sigurimit, 15-anëtarësh, të zgjasë embargon e cila është paraparë të lehtësohet në mënyrë progresive, duke filluar nga muaji tetor në bazë të një marrëveshjeje bërthamore të vitit 2015 midis Teheranit dhe fuqive botërore. Rusia dhe Kina, që kanë të drejtën e vetos, kanë thënë se kundërshtojnë veprimin e SHBA-së. Kujtojmë se SHBA-të, u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore në maj të vitit 2018 dhe vendosën sanksione të cilat kanë dëmtuar ekonominë iraniane. Si përgjigje, Irani gradualisht filloi të shkelë angazhimet e tij bërthamore.

Nëse embargo hiqet, Irani ka të ngjarë të kërkojë të blejë avionë luftarakë, tanke, asete detare dhe armë të tjera nga Kina dhe Rusia për të rindërtuar pajisjet e saj ushtarake të vjetruara.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: