Nga ARBEN KARAPICI

Ajo, që në fi llim nuk i besohej, kryeministrit i doli e vërtetë. Duke synuar të shkurtonte vendet e senatorëve, Renci shkurtoi karrigen e vet. Ajo, që në fillim nuk i besohej, kryeministrit i doli e vërtetë. Duke synuar të shkurtonte vendet e senatorëve, Renci shkurtoi karrigen e vet Sepse italianët u thanë “Jo” reformave kushtetuese, të cilat parashikonin forcimin e kompetencave të kryeministrit për t’i sjellë qëndrueshmërinë politike Italisë. Propozimi përfshinte shkurtim të pushtetit senatorial, duke pakësuar numrin e senatorëve nga 315 në 100, si dhe zvogëlimin e pushtetit të autoriteteve rajonale. Kryeministri Renci kishte besimin se reformat do të përshpejtonin procesin ligjvënës në Itali, por besimi është i pamjaftueshëm në vendin që ka ndërruar 60 qeveri nga viti 1948. Sepse kundërshtarët nuk i pranojnë reformat “me shumë pushtet” në duart e kryeministrit.

“Fushata Antireformë”, e cila i kushtoi Rencit postin e tij kryeministror, u drejtua nga partia kryesore e opozitës “Lëvizja e Pesë Yjeve” e udhëhequr nga Bepe Grillo, që kërkon edhe referendum nëse Italia duhet të përdorë monedhën e përbashkët evropiane euro. Në këtë mënyrë, humbja e kryeministrit Renci është argument që forcon partitë populiste, përfshirë Lëvizjen e Pesë Yjeve dhe Ligën e Veriut, me qasje haptas kundër emigrantëve. Referendumi në Itali pasoi votën britanike për dalje nga Bashkimi Europian, ndërsa përkon edhe me ngritjen e Frontit Kombëtar Francez, me frymë kundër emigrantëve dhe partive të tjera populiste në Europë. Liderja e këtij Fronti, Marine Le Pen, e së djathtës ekstreme, iu referua pikërisht këtyre zhvillimeve dhe e lidhi rezultatin referendar me prirjet politike që janë shfaqur në Europë.

“Është e qartë se qëndrimi italian nuk është më që t’i shërbejë Bashkimit Europian, por të veprojmë si të barabartë, tha Le Pen. – Ne do të jemi të rëndësishëm për ata që duan të jenë aleatët tanë. Asnjëherë qeveri me këta socialistë të Bashkimit Europian! Asnjëherë më me shërbëtorë të një monedhe të gabuar dhe të një sistemi të çmendur bankar!” Me Mateo Rencin, tani largohet nga posti i dyti kryeministër i një vendi anëtar të BE-së brenda këtij viti. Fillimisht ishte kryeministri britanik Kameron, e tani ai italian. Që të dy kanë dështuar përballë koalicioneve të përbëra nga qytetarët e indinjuar, populistë të majtë e të djathtë. Në pjesën tjetër të Europës, në BE po bien kambanat e alarmit, sepse populistët kanë arritur një fitore tjetër fatale. Nga e djathta, Marine Le Pen në Francë dhe Matteo Salvini nga Lega Nord po fërkojnë duart prej ngazëllimit. Bepe Grillo dhe pozicioni i tij fundamentalist po triumfon nga e majta.

“Rroftë Tramp, rroftë Putin, rroftë Le Pen”, bën thirrje Salvini, që synon ta shkëpusë Italinë e Veriut nga ajo e Jugut. Të indinjuarit, të zhgënjyerit, por edhe shumë që kanë përfituar deri tani në Itali, nga sistemi pjesërisht i korruptuar, e degdisën Rencin, por a ka receta më të mira? Ekonomia, gjithsesi e dobët, tani do të vuajë pasigurinë që po krijohet. Dhe Mateo Renci, në pjesën më të madhe, e gatoi vetë riskun. Kur Renci fitoi qartazi zgjedhjet për Europën më 2014-ën, u ndje mjaft i fortë, aq sa mori përsipër reformën shtetërore. E lidhi kështu fatin e vet politik me reformën, duke u shtruar italianëve, në një farë mënyre, çështjen e votëbesimit. Kur sondazhet po i tregonin se ishte më optimist seç duhej, Renci nisi të hedhë hapat sa para mbrapa dhe shpalli, se nuk bëhej më fjalë për të, por vetëm për Italinë.

Dhe pikërisht të tilla manovrime zgjedhësit zor se i kapërdijnë. Opozita, që ka në krye të saj komedianin populist Beppe Grillo, përfitoi nga rasti dhe vetë lideri me “pesë yje” filloi të mbushë mendjen e italianëve se “Renci po i mashtron, po u vjedh atyre demokracinë”, dhe italianët u pajtuan menjëherë me këtë. Renci vetë është përpjekur, herë me shumë arrogancë dhe herë me plot vetëkënaqësi, për ta thjeshtuar dhe për ta bërë më fleksibël aparatin politik të Italisë. Në thelb kjo ishte një nismë e drejtë, por Renci, i cili u prezantua si “shpëtimtari”, donte të tregonte së paku, që ndryshimet janë të mundshme në sistemin e kalçifikuar dhe pjesërisht të korruptuar, dhe nuk ia doli. Tani Renci dhe jo vetëm ai duhet t’u bëjë ballë pasojave të këtij kursi me risk.

Ekspertët parashohin që bota e financave dhe depozituesit e kapitalit “ta ndëshkojnë” ekonominë në stanjacion të Italisë dhe bankat e pasigurta do t’i lënë në baltë. Italia, madje, mund të rrëshqasë sërish në recesion. Borxhet, që janë gjithsesi të larta, do të rriten edhe më shumë. “Me këtë Italia do të kthehet në një problem europian”, thonë ekspertët. I trazuar prej Brexit dhe prej problematikës së pazgjidhur me Greqinë, Bashkimit Europian i shtohet tani edhe një tjetër barrë me një Itali të tronditur nga kriza. Në rastin më të keq, Italia do të ketë për një vit një kabinet teknokratësh, që do të thotë një situatë në vendnumëro, deri në zgjedhjet e reja. Nëse do të ketë më parë zgjedhje, ky do jetë shansi i madh që populistët e Grillos të marrin frenat e pushtetit në dorë.

Grillo, që ushqen vetëm indinjatë dhe zhgënjim, do dalë nga sistemi i monedhës së përbashkët dhe, nëse ndodh, kjo do të thotë fundi i bashkësisë monetare, sepse Italia është shteti i tretë i fuqishëm i Euros dhe një ndër paguesit neto në buxhetin e BE-së dhe në paketat e shpëtimit. Populistët në Itali, ndryshe nga vendet e tjera të BEsë, nuk e kanë në plan të parë ksenofobinë, krizën e refugjatëve apo nacionalizmin. Megjithatë, ndëshkimi i qeverisë në Itali u ka dhënë krahë qysh tani populistëve si Gert Vilders në Holandë, apo Marine Le Pen në Francë, të cilët në pranverën e afërt 2017 do të dalin për gjah votash. Virusi i populizmit mundet të depërtojë edhe në Gjermani. Në vjeshtë, partia “Alternativa për Gjermaninë” do të mobilizojë zgjedhësit e vet, ndërsa italianët dhanë për këtë një nxitje indirekte. Italianët votuan në një referendum, i cili në të vërtetë testoi ndjenjat anti-BE në vend. Votimi, i cili pason referendumin e qershorit në Britani për dalje nga blloku evropian dhe zgjedhjen e Donald Trampit president i SHBA-ve, prapë thekson rritjen e forcave populiste.

Partitë anti-BE u bënë thirrje italianëve që të votojnë “Jo” me qëllimin për të shkarkuar Renzin nga posti dhe për t’i hapur rrugën daljes së Italisë nga Eurozona, madje edhe nga Bashkimi Europian. Vendimi i Rencit për dorëheqjen është kështu një goditje edhe për BE-në, që ndodhet në mes të disa krizave dhe po përpiqet të frenojë forca politike të skajshme, që kanë tronditur botën perëndimore këtë vit. Por, sa është i mundur një “Italexit”, domethënë një Brexit i stilit italian? Në të vërtetë, referendumi i 4 dhjetorit në Itali nuk ishte dhe nuk është lidhur drejtpërsëdrejti me Bashkimin Europian. Ai ka të bëjë me rritjen e fuqive ekzekutive të kryeministrit, duke i kufizuar fuqinë e Senatit, ku Mateo Renci ka hasur në rezistencë jo të vogël për reformat, që shpresonte se do ta forconin ekonominë italiane. Pasi Renci është zotuar publikisht se ai do të jepte dorëheqjen nëse votuesit nuk do ta miratonin propozimin e tij, forcat kundër BE-së e shfrytëzuan referendumin si një shans i mirë për ta rrëzuar atë.

Dorëheqja e Rencit do të kërkonte formimin e qeverisë së re. Kjo, pastaj, do ishte një mundësi më tej për partitë kundër BE-së të hyjnë në qeverinë kalimtare, ose të garojnë në zgjedhjet e parakohshme. Fitorja më e madhe është pikërisht e kampit populist kundër BE-së dhe pasoja eventuale në rastin e Italisë, nuk është vetëm dalja nga Bashkimi Europian. Pasoja më e afërt dhe e drejtpërdrejtë është dalja edhe nga Eurozona, ndryshimi i monedhës dhe rikthimi te lira. Ballafaqimi me këto do të ishte një hap i madh në katastrofë. Ndërsa ajo që bënë me sukses partitë populiste, Lëvizja Pesë Yjet dhe Lega Nord në fushatë, ishte goditja me pakënaqësitë e italianëve. Shanset e Italisë që të largohet nga BE-ja janë mjaft të vogla, por shanset që Italia të dalë nga Eurozona dhe të sjellë kolapsin e monedhës, janë dhe ndoshta po forcohen.

Dhe fakti është, se që kur Italia i është bashkuar Eurozonës, ekonomia italiane nuk është rritur më shumë se një për qind në vit, duke shkaktuar zemërim të madh të publikut, edhe me Brukselin, edhe me joefikasitetin e perceptuar në ekonominë italiane. Pjesa më e madhe e zemërimit është e fokusuar tek euro, sepse qenia pjesë e monedhës e parandalon Italinë nga stimulimi i ekonomisë së eksportit dhe zhvlerëson paranë e saj, siç ka ndodhur shpesh, derisa vendi kishte lirën monedhë shkëmbimi. Italia është ekonomia e tretë më e madhe e Unionit, pas Gjermanisë dhe Francës, prandaj shumë ekonomistë thonë se largimi eventual i Italisë, qoftë nga Euro, qoftë nga BE-ja, do të ishte një goditje vdekjeprurëse për Brukselin. Pas vitesh në stanjacion ekonomik, italianët janë të zemëruar dhe duan të gjendet fajtori.

Në Itali e gjitha kjo bie erë rebelimi dhe populistët kanë shpresuar dhe shpresojnë, që era e ndryshimit të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe të fryjë edhe në Gadishullin e Apenineve. Siç duket, edhe presidenti Serxhio Matarela pikërisht këtij ndryshimi i druhet, që nuk e dekretoi dorëheqjen e Rencit derisa të votohet buxheti i shtetit. Kurse në zgjedhjet presidenciale në Austri fitues doli ish-kryetari i të Gjelbërve, Aleksandër van der Belen, ndaj kandidatit populist të djathtë Hofer. Europa u duk se mori frymë e lehtësuar të paktën përkohësisht, deri në zgjedhjet e pritshme në Francë, Holandë dhe Gjermani. Edhe në reagimet e politikanëve evropianë u ndje ky lehtësim. “Tani van der Belen ka për detyrë të bashkojë sërish shoqërinë austriake pas kësaj fushate shumë të gjatë dhe të fortë elektorale”, tha sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Peter Tauber, në Berlin.

“Rezultati është një shenjë e mirë kundër populizmit në Evropë”, tha edhe ministri i Jashtëm gjerman, Frank- Valter Shtajnmajer. “Kjo është një ditë e mirë për Austrinë, por përfundimi i zgjedhjeve nuk do të thotë se duhet të ulim shkallën e gatishmërisë”, tha për gazetën “Berliner Cajtung”, sekretarja e përgjithshme e socialdemokratëve, Katarina Barlej. “Populistët e djathtë po apelojnë në gjithë Europën ndaj instinkteve të ulëta dhe shfrytëzojnë madje dhe shqetësimet e njerëzve për të nxitur frikën”, tha ajo.

Fitorja e Van der Belen është “një humbje e rëndë për nacionalizimin, për prapambetjen dhe për populizmin antieuropian”, komentoi presidenti i Parlamentin Europian, Martin Shulc, i partisë CDU të kancelares Merkel. “Ndërsa ne gjendemi përpara sfidash të vështira, kontributi konstruktiv i Austrisë për zgjidhje të përbashkëta europiane mbetet me rëndësi vendimtare”, tha në Bruksel, presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk. Në një fjalë të shkurtër pas fitores, presidenti i zgjedhur Van der Bellen u tha gazetarëve se do të përpiqet t’i mbajë dyert e ekonomisë së Austrisë të hapura si dhe do të jetë një president proeuropian. Ndërsa roli i presidentit në Austri është ceremonial, procesi kishte marrë shumë vëmendje ndërkombëtare, duke u konsideruar si tregues i përhapjes së populizmit dhe lëvizjes kundër klasës së vjetër politike, që pason votimin për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian. Van der Bellen mbështet fuqishëm Bashkimin Europian dhe është avokat i politikave liberale të migracionit.

Si për të komplikuar edhe më shumë gjërat për BE-në, qeveria e Tereza Mej, nuk duket se do ta nisë procesin e Brexit pa marrë ende një vendim Gjykata e Lartë e Mbretërisë. Fillimi i gjykimit në lidhje me Brexit, nëse këtë e vendos apo jo parlamenti, i ka ndezur sërish gjakrat. Në fillim të nëntorit, një gjykatë në Londër ishte shprehur në mënyrë taksative, që qeveria nuk ka të drejtë të vendosë për largimin nga Bashkimi Europian pa pëlqimin e parlamentit. Kësisoj, çështja në Apel tani shihet si vendim, nëse i ashtuquajturi Brexit do të vazhdojë të zbatohet apo jo. Natyrisht që shumica e deputetëve do të votojnë për daljen, por qeveria druhet seriozisht, sepse procesi mund të shtyhet nga propozime për ndryshime të mundshme ligjore. Sipas ligjit, që ka bërë të mundur referendumin Brexit, vota referendare ka vetëm karakter këshillues dhe jo detyrues. Vendimi për anëtarësimin e Britanisë së Madhe, i vitit 1972, është marrë në parlament dhe përmbysja e vendimit për daljen nga BE-ja mund të bëhet vetëm nëpërmjet një statuti, ose një rezolute të parlamentit.

Parlamenti britanik mundet të vendosë, edhe nëse do ta injorojë vendimin e referendumit apo do ta shtyjë zbatimin e tij. Vendimi ka shkaktuar kritika nga më të ashprat në mediat e vendit, aq sa gazeta “Dhë Dejli Meil” i quajti gjyqtarët si “Armiq të popullit” dhe mendime të ngjashme u botuan edhe në gazetat tabloide. Procesi është edhe një provë, se sa do të jenë në gjendje gjyqtarët të vendosin në mënyrë të pavarur prej presionit publik. Drejtësia britanike është e njohur se nuk ndikohet prej gjërash të tilla, por rasti i “breksit pa eksit” ka ngjallur vëmendje mjaft të madhe. Drejtësia përbën një shtyllë të fortë të demokracisë britanike dhe britanikët i respektojnë me fanatizëm vendimet e saj. Do të ishte mjaft alarmuese, nëse respekti publik dhe besimi te drejtësia do të lëkundeshin. Të gjithë sytë janë nga qeveria, si do të reagojë ndaj vendimit, që pritet në fillim janari.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: