Presidenti i Republikës Ilir Meta i është përgjigjur kryeministrit Rama, i cili deklaroi pas manifestimit se ai nuk firmos dot dekret për shpërndarjen e parlamentit dhe se Kuvendi nuk do ta njohë një dekret të tillë.

Meta theksoi se nëse maxhoranca ecën përpara me “projektin mafioz për të pushtuar Gjykatën Kushtetuese” do të fillojë konsultimet me forcat politike, pasi populli e priste shpërndarjen që sot.

“Tani unë jam i bindur që ju kërkoni të zgjidhni çdo gjë sot dhe kjo është normale. Mesazhi besoj ishte shumë i qartë, që populli shqiptar po humbet durimin nga grushti i shtetit, i cili, nëse nuk e dëgjon zërin e tij dhe ecën përpara me projektin mafioz për të pushtuar Gjykatën Kushtetuese, pra për të ekzekutuar Kushtetutën e Shqipërisë, padyshim që kjo është përmbysje e rendit kushtetues dhe unë do të filloj konsultimet me forcat politike sepse është e qartë se populli e priste shpërndarjen që sot. Unë e bëra të qartë që deri më 15 mars do të administroj me shumë përgjegjshmëri këtë situatë. Nga sot ka nisur një pranverë kuqezi, në kuptimin e rritjes së ndërgjegjësimit për mbrojtjen e kushtetutës. Jemi këtu sepse kemi luajtur me kushtetutën tonë dhe kemi lejuar edhe të tjerët të tallen me kushtetutën tonë”, tha Meta në “Çim Peka Live”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb