Presidenti i Ilir Meta ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për Manolis Glezos, ai që në Greqi njihet si Heroi i Rezistencës Antifashiste greke për shkak se vetëm 18- vjeç hoqi nga Akropol flamurin nazist.

Meta shprehet se Glezos ndërroi shumë parti por asnjëherë kauzën për liri dhe demokraci. Ndër të tjera Presidenti thotë se Glezos la një porosi shumë të rëndësishme që nuk duhet harruar: Mos i hidhni verës ujë, fazhismi nuk ka vdekur.

 

STATUSI I ILIR METËS

Sot u nda nga jeta Heroi i Rezistencës Antifashiste të Greqisë, Manolis Glezos i cili në moshën 18-vjeçare guxoi të hiqte nga Akropolis flamurin nazist me svastika duke paralajmëruar rezistencën heroike të popullit grek.
E gjithë jeta e Tij ishte përkushtim dhe sakrificë për popullin e tij kundër pushtuesve dhe kundër diktaturave. Pavarësisht vuajtjeve në burgjet e fashizmit dhe të juntës, Manolis Glezos kurrë nuk e humbi besimin te liria, demokracia dhe populli i Tij.
Ai nuk ju nda deri në fund të jetës të gjitha betejave për demokraci dhe drejtësi shoqërore duke qëndruar përherë në anën e duhur të historisë.
Manolis Glezos ndërroi shumë parti, por kurrë kauzat e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë sociale.
Populli grek humbi sot një ikonë të shpirtit të Tij liridashës, ndërsa ne shqiptarët humbëm sot një mik shumë të çmuar të popullit tonë dhe një përkrahës të palëkundur të fqinjësisë së mirë midis dy vendeve dhe dy popujve tanë.
Ne do ta kujtojmë dhe duartrokasim gjithmonë veprën e Manolis Glezos njësoj si eurodeputetët fjalën e Tij të fundit për Europën 6 vjet me parë.
Kurrë nuk duhet ta harrojmë porosinë e tij: Mos i hidhni verës uj! Fashizmi nuk ka vdekur!
I përjetshëm kujtimi i Tij!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb