UKRAINË- Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se politikani opozitar rus dhe kritikuesi i Kremlinit, Boris Nemtsov u vra për shkak se ai do të zbulonte dëshmitë e përfshirjes së Moskës në konfliktin separatist në lindje të Ukrainës.

“Boris Nemstov, një mik i madh i Ukrainës dhe një patriot i madh i Rusisë është vrarë. Ai ishte si një urë lidhëse mes Rusisë dhe Ukrainës. Ai ndërtoi atë marrëdhënie mes dy vendeve që do doja të shihja. Për mua Nemstov është simbol i qytetarit që na lidh ne dhe që respekton sinqerisht Ukrainën”, tha Poroshenko para gazetarëve, ndërsa sytë i kishte me lotë.

Poroshenko tregoi se Nemtsov i ka thënë para disa javësh se ai do të zbulonte dëshmi të përfshirjes së ushtrisë ruse në krizën e Ukrainës. Poroshenko ka shtuar se “dikush ishte shumë i frikësuar” nga publikimi i këtyre informacioneve dhe për këtë arsye e vranë.

Nemtsov u vra mbrëmjen e së premtes pak metra larg Kremlinit, ndërsa kalonte në urë në Moskë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb