Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka komentuar gjatë një komunikimi me mediat zhvillimet e fundit politike në vend.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me akuzat e ngritura së fundi ndaj kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili u akuzua edhe nga PD se ka porositur vrasjen e avokatit Ravit Gurra, Gjiknuri nuk preferoi të bënte komente duke thënë se nuk kishte dëshirë të merrej me deklarata të mediave. Mes të tjerash ai tha se kjo pyetje iu duhet bërë personave konkretë.

“Nuk dua të merrem me deklaratat e mediave, nuk di vërtetësinë e tyre. PS është një parti e fortë, bazohet te vullneti i njerëzve dhe nuk njolloset nga akuzat që mund të bëhen nga media apo qarqe të caktuara”, tha Gjiknuri. Në lidhje me protestën e datës 6 dhjetor të thirrur nga Partia Demokratike numri dy i socialistëve tha se qeveria nuk ka bërë asnjë hap që të pengojë protestën. Ai shtoi se nuk është e udhës që të protestohet në ditën që në Shqipëri do të vijnë liderët e BE-së.

Sipas tij 6 dhjetori është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë duke qenë se liderët e BE-së do të marrin vendime të rëndësishme. “Mazhoranca nuk ka marrë asnjë masë për të penguar asnjë protestë, opozita ka gëzuar ccdo të drejtë për të bërë protesta. Problemi është se i bën turp vendit kur vijnë kryeministrat e Europës dhe Tirana kthehet në qendër të diplomacisë europiane, nuk ka qenë zakon i shqiptarit t’i pres miqtë me protesta. Qytetarët janë të aftë e të dinë se kush janë ato forca që duan të pengojnë integrimin e Shqipërisë. Opozita është kundër çdo projekti që i jep dobi ekonomisë së vendit. Duan të pengojnë ccdo lloj progresi për ta mbajtur në vend Shqipërinë”, përfundoi Gjiknuri pas ceremonisë kushtuar 110 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Elbasanit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: