“Njëmijë e treqind kontejnerë nga Italia u zhdukën në hiç. Ndoshta të destinuar për t’u shkarkuar në Shkup, në Maqedoni por në realitet të fshehura diku në ‘Vendin e Shqiponjave’. Afera e plehrave alarmon popullin shqiptar, ndërsa politika është vënë në dispozicion të lojës së trafikantëve të mbeturinave… Gjykata italiane kërkon të zbardhë të vërtetën, por po hetohet edhe në Shqipëri dhe Maqedoni”.

Kështu e nis artikullin e saj portali italian “Pianetaitalia” që pretendon se ka zbuluar një skandal. Vlen të theksohet se ky është një portal i panjohur në Itali dhe nuk dihet sa i besueshëm është raportimi i tij, për aq kohë sa dhe një fakt i pretenduar në shkrim rezulton të jetë i pavërtetë. Konkretisht artikulli nis me konferencën e përbashkët për shtyp dhe takimin e kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe Prokurorit të Antimafias, Franco Roberti. Në shkrim pretendohet se gjatë këtij bashkëbisedimi me mediat është folur me tone optimiste për zbardhjen e kësaj çështjeje, deri aty sa prokurori i është shmangur pyetjes për zhdukjen e këtyre kontenierëve në Shqipëri. Ndërkohë që ky pretendim rezulton tërësisht i pavërtetë pasi të kundërtën e kësaj mund ta vërtetojë çdo gazetar që ka e ka ndjekur live atë dhe që mund të pohojë se një pyetje e tillë nuk është bërë gjatë konferencës mes dy prokurorëve Llalla e Roberti. Gjithashtu artikulli i “Pianeta Italia” pretendon se 1300 kontenierët me mbetje kanë hyrë nga porti i Durrësit, por ky pretendim pritet të sqarohet nga vetë ky autoritet nëse ka ndodhur ky shkarkim mbetjesh në port apo jo. Gjithashtu portali pretendon se e disponon një kopje të procesverbalit të shkarkimit të kontenierëve në Durrës por për çudi nuk e bën atë publik, dhe pyetja që ngrihet në këtë rast është pse. Megjithatë pretendimet dhe pikëpyetjet e këtij artikulli pritet të marrin edhe një përgjigje zyrtare nga institucionet shqiptare.

ARTIKULLI I “PIANETA ITALIA”
“Bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë është në një pikë kthese… Ura e gjyqësorit mes vendeve tona do të sjellë një evolucion në bashkëpunimin ndërkufitar për krimin. Me pak fjalë, mafiet e reja do të gjejnë bukë për dhëmbët e tyre!”

Tonet e konferencës për shtyp janë me shenja optimizmi. Adriatik Llalla, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, ka pritur në Tiranë prokurorin e Antimafies italiane Franco Roberti. Një debat i gjatë për trafikun e drogës dhe armëve, për luftën kundër riciklimeve mafioze dhe akoma shkëmbime numrash dhe të dhënash për t’u thelluar.

“Hetimet kofidenciale do të mbërrijnë shumë shpejt në rezultate vendimtare”, pëshpëritet në korridoret e Pallatit të Drejtësisë në Shqipëri, por askush nga të pranishmit në konferencën për shtyp nuk guxon të ngrejë hipoteza lidhur me interesat e përbashkëta hetimore.

Asnjë indicie, pra me përjashtim të një pyetjeje të ‘pacipë’ lidhur me trafikun e paligjshëm të mbetjeve nga Italia, shpesh ilegal, në territoret e Gadishullit Ballkanik.

“Prokuror, mijëra kontejnerë të nisur nga porti kalabrez i “Gioia Tauro” drejt Maqedonisë kanë zbarkuar në Durrës dhe janë zhdukur gjatë rrugës. Dukej se përmbanin mbetje urbane dhe industriale… Shqipëria është kthyer në kazanin e plehrave të Europës?”, pyeti një gazetar. Ai bën një shenjë me sy dhe ngre supet. I shmanget pyetjes, por e bën vetëm për sa i përket sekretit institucional që është i nevojshëm për të mbajtur në vazhdim procesin. Është e vërtetë, Italia dhe Shqipëria hetojnë për “mbeturinat e zhdukura” në rrugën e Ballkanit.

Dokumentet në posedimin tonë tregojnë se në vitin 2016, të paktën 1.300 kontejnerë, prej 22 tonelatash secili dhe zyrtarisht të destinuar për t’u shkarkuar në Dresla, Maqedoni, nuk e kanë kaluar kufirin. Të shkarkuara në portin e Durrësit, në Shqipëri, nga anijet tregtare të kompanive të mëdha, të nisura nga porti i Gioia Tauro në Kalabri, duhet të ishin shkarkuar në Shkup, Maqedoni, në vendin më të madh të shkarkimit në Europë, menaxhimi i së cilës i është besuar aktualisht një kompanie italiane.

Mbetjet urbane të ardhura nga Napoli dhe provincat, nga Campania, Bari dhe komunat e këtij territori. Madje edhe nga provinca e Imperias. Por, ndoshta edhe mbetje industriale dhe helme të rrezikshme, kjo e fundit, hipotezë që e bën aferën më shqetësuese dhe sjell në memorie vitet më të errëta të helmeve nga mafia.

Në Napoli dhe Campania, toka të “së keqes së errët” të përhapur në vitet e katastrofës më të madhe ambjentaliste të viteve të fundit, ata e dinë mirë se për çfarë bëhet fjalë.

Dhe prokurori i Tiranës i flet një njeriu të respektuar, kolegut Roberti, i cili vjen nga ky rajon dhe historinë e Camorra-s dhe “mbetjeve të zhdukura” e njeh nga afër.

Në Tiranë, numërohen për momentin 1300 “të zhdukur”. Kontejierët janë zhdukur në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Literalisht janë zhdukur. Në portin e Durrësit, pala shqiptare e mallrave në hyrje – thuhet në tabulate- sigurojnë se janë zbarkuar. Kjo është konfirmuar nga të dhënat e autoriteteve portuale të Gioia Tauro dhe të Durrësit në posedimin tonë.

“Në vitin 2016 kompanitë ndërkombëtare të anijeve kanë dorëzuar 24.816 kontejnerë nga e gjithë bota dhe tranzit nga porti italian i Gioia Tauro”, shkruhet në raportin zyrtar të vitit të kaluar. “2604 ishin adresuar në Maqedoni…”. Por në kufirin e Qafë Thanës, dogana që ndan Shqipërinë dhe Maqedoninë, këto kontejnerë nga 22 ton secili nuk i ka parë, por kanë kaluar vetëm 1140.

Lista e tranzitit – në posedim tonë (të pianetaitalia) – është e qartë.

E atëherë ku kanë përfunduar? Kush i ka marrë në dorëzim? I kanë zhdukur në det, siç ndodhte në Kalabrinë e kumbarëve, apo janë varrosur nën tokë?

Autoritetet maqedonase kanë nisur një hetim prej kohësh. Shumë spekulojnë se janë fshehur në tunele të nëndheshme dhe bunkerë të mëdhenj të ish-regjimit komunist, ku Guarda di Finanza dhe zyrtarët e ambasadës italiane në Shqipëri e Maqedoni javët e fundit janë në kërkim të një “thesari” toksik.

Gjurmët e përgjegjësive të çojnë në korridoret e pushtetit në Tiranë dhe vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e politikës së ‘Tokës së Shqiponjave’.

Qeveria shqiptare vitin e kaluar u përpoq vazhdimisht që të miratonte me shpejtësi një ligj që lejonte importin e mbetjeve nga vendet europiane, kryesisht nga Italia. E mbështetur nga Kryeministri Edi Rama, projektligji provokoi shumë kundërshtime edhe në mesin e krerëve të disa institucioneve, duke përfshirë Ministrinë e Mjedisit të Lefter Kokës, përfaqësuesin e partisë tjetër në pushtet, LSI-së.

Shumica e anëtarëve në fillim u shprehën në favor, por më pas kundër importimit të helmeve, duke bërë kështu një ‘marsh pas’, por nuk ka dyshim se një dorë politikanësh kishte organizuar këtë “kurth institucional”. Kundërshtitë për importin e mbeturinave nga Italia është rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit, kjo dhe brenda qeverisë maqedonase, por ndoshta është tepër vonë për të ndaluar që një pjesë e turpshme kapitullit të “mbeturinave të zhdukur” të konsumohet.

Rikthehemi në hapat e parë të kësaj historie të shëmtuar.
Është viti 2012. Më 14 shkurt, në Frosinone, në rrugën nr.8 ‘Armando Vona ‘, është themeluar kompaninë “Mjedisi FLC LTD”. Kapitali i kompanisë është 10 mijë euro. Drejtori i vetëm është Massimiliano Ferrazzoli, një sipërmarrës me origjinë nga Sora. Aksionet kontrollohen 100% nga korporata e quajtur “Financial Center Lazio”, e familjes bujare të themeluar në vitin 2005 dhe me një kapital prej 600 mijë eurosh, me seli në sheshin ‘Piazza del Popolo ‘ në Romë.
“Në vitin 2013″, është shkruar në dosjet e kompanisë se ‘shoqëria fitoi koncensionin për menaxhimin e mbetjeve/shkarkimin e tyre në Shkup të Maqedonisë, duke u zotuar për të investuar 73 milionë euro për rinovimin e impiantit” … 73 milion? Një s.r.l me dhjetë mijë euro kapital? Kush i jep ato? Nga vijnë ? Qëllimi i Ferrazzoli, pa asnjë dyshim, është eksporti i mbeturinave nga Italia në mega-impiantin e Dresla-s.

Ata shkruajnë në broshurën e kompanisë: “Projekti përfshin edhe ndërtimin e një sistemi të trajtimit të mbetjeve industriale dhe spitalore …”.
Pa asnjë punonjës, por me një marrëveshje të pathyeshme me Komunën e Shkupit, prezente me 20 për qind në shoqërinë e menaxhimin të landfillit të Dresla-s, ‘FLC ‘ doli në vitin 2013 në tregun italian të “eksportit të mbetjeve “.

Importet variojnë nga 80 euro deri në 160 euro për çdo ton mbeturina qe nisen nga Italia me destinacion Shkupin. Biznesi shkon mirë dhe këtë e dëshmojnë të dhënat e bilancit. 18 milionë euro që kanë qarkulluar në vitin 2014, dhe 18 milionë e gjysmë në vitin 2015. Në vitin 2016 (ndoshta edhe më herët) Guardia Di Finanza fillon të ndërveprojë në biznesin ndërkufitar me Maqedoninë dhe mes operatorëve të tij.

Eva Netkovska, funksionare e Institutit për Tregtinë e Jashtme në Shkup, e pyetur për çështjet nga një superior shkruan: ‘Policia ekonomike italiane, së bashku me një funksionar të Ambasadës Italiane në Maqedoni dhe një kolegun e saj në Ambasadën e Tiranës, po bëjnë një hetim për të kuptuar nëse një sasi e madhe mbetjesh ka qenë vërtetë për tu shkarkuar në Maqedoni’… dhe shton. ‘Pas shumë takimesh me Sonja Lipitkova, sekretare e Shtetit për Ambientin, Natasha Krstevska, drejtore e doganës dhe bashkiaku i Shkupit, kanë arritur në konkluzionin, që ngarkesa nuk ishte drejtuar drejt Maqedonisë, të paktën ligjërisht. Grupi italian po heton faktin se ku përfunduan 300 kontenierët me mbetje, nga 22 ton secila., që sipas dokumenteve janë pjesë e një kontrate prej 1000 ton secila’. Netkovska kujton që qeveria maqedonase 2 herë, në 2016, ka shtyrë autorizimin për importin e mbetjeve të huaja, të kërkuar edhe nga kompani të tjera lokale.

Po tani ku kanë përfunduar kontenierët?
Hetimi i cili është vazhduar edhe nga policia italiane ka evidentuar mundësinë që plehrat të jenë groposur në Shqipëri’. Sipas informacioneve Shqipëria rezulton e përfshirë në biznesin e mbetjeve. Në disa rajone plehrat mbulohen ose digjen. Shpesh herë, përveç plehrave normale, importohen edhe ato të rrezikshme, të paligjshme, të cilat qarkullojnë sasi të madhe parash. Mafia kontrollon trafikun….’’ Rezultatet e arritura nga policia financiare italiane sigurisht që duhet të bëhen publike, për faktin që Italia akuzohet drejtpërdrejtë nga Europa, që ekspozon mbetje, edhe të rrezikshme, në shtetet ballkanike. Sigurisht që ka edhe një ‘zinxhir’ eksportesh ligjore. Por n ë 2016 ndodhi diçka e paparashikueshme,. Edhe qeveria maqedonase ka ndaluar hyrjen e kontenierëve që vinin nga Italia pa të cilin biznesi i madh i Dresla, landfilli më i madhi Europës, do të humbë shumë të ardhura.

Dhe është pikërisht ngërçi institucional, ku kanë hyrë ‘skuadrat e vdekjes’, të ndotjes së ambientit, të cilët vijnë për të ‘pastruar’, dhe nën siglën e kartonëve të qumështit fshehin materiale të rrezikshme, të cilat zbrazen në Durrës. Të vdekurit koha do ti numërojë. Koha tragjike do tregojë se helmi që shpërndajnë vret më shumë se armët…
(Përshati BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb