Kryeministri Edi Rama tha sot nga Berati se Porti i ri i Durrësit do të jetë një portë e madhe e hapur për Shqipërinë dhe një prej porteve më të mëdha në Mesdhe.

Rama solli si shembull Malin e Zi, për të cilin tha se porti i ri e ngriti dhe e shkëputi nga pjesa tjetër e rajonit.

“Me investimin më të madh direkt dhe të huaj, që bëhet fjalë për transformimin e Portit të Durrësit në një port turistik që do të jetë nga më të mëdhenjtë në Mesdhe. Pse është i rëndësishëm ai? Sepse ai port do të jetë një portë e madhe e hapur e një Shqipërie që do të ndryshojë komplet pozicionin dhe nuk do të jetë atraktive vetëm për të ardhur tek porti, por për të shkuar më thellë. Shikoni Malin e Zi, është vendi me pagat më të larta në rajon. Çfarë ka Mali i Zi? Sepse Mali i Zi ka ndërtuar shumë kohë më parë një port që është shumë më i vogël sesa ky që do të ndërtojmë ne, që atëherë ishte një portë e madhe e hapur në Mesdhe dhe e ngriti Malin e Zi dhe e shkëputi nga pjesa tjetër e rajonit. Kjo solli investime dhe turistë që çoi edhe në rritjen e pagave. Kjo do të ndodhë edhe me Portin e Durrësit. Ne paralelisht po ndërtojmë edhe portin e ri tregtar. Sepse porti i sotëm është njësoj si stadiumi që nuk vinte asnjë skuadër e huaj të luante dhe tha Uefa STOP”, u shpreh Rama.

Sa i përket largimit të shqiptarëve, Rama tha se nuk do të jetë e largët dita kur më shumë shqiptarë do të kthehen sesa do të ikin.

“Berati sot të jetë mbi 300 mijë turistë, të brendshëm edhe të huaj, nuk ka rëndësi. Kush e imagjinonte para se ne të vinim në pushtet. S’kishte rrugë nga të vije. Nga Lushnja e këtu nuk ka pasur rrugë. Po ju them që në Berat, ky numër do të shkojë 600 mijë, 700 mijë, 800 mijë dhe kjo pasuri vetëm sa ka filluar të zgjohet. Mes kësaj pasurie që e ka falur zoti çdokush duhet të ketë një mundësi dhe do ta gjejë një mundësi. Koha kur më shumë do të vijnë se do të ikin nuk është e largët. Edhe fantazia që thuhet se atje ju pret një fushë me lule po shkon drejt shterimit. Unë nuk jam tek ata që thonë se nuk ka si vendi yt. Unë jam që vendi të ofrojë më shumë mundësi se vendet e tjera dhe situata që jemi sot tregon se rruga është hapur. Dhe rrugën e kemi hapur ne, jo të tjerët. Sot që flasim në qytetin e Beratit ka 24 orë ujë. Tani duhet të kemi ne turp ta themi që ka 24 orë ujë apo çfarë. Pse të na vijë turp ne?! Turp duhet t’iu vijë atyre që nuk bënë asgjë. Sot është komplet ndryshe, siç është komplet ndryshe imazhi i Shqipërisë sado mundohen dhe nuk lënë dy gurë bashkë për ta goditur, jo nga jashtë, por nga brenda. Sot pashë një nga revistat më të rëndësishme në botë të turizmit “Lonely planet” që e kishte vendosur Shqipërinë në 5 vendet e para.
Por ju e keni parë këtë vit, se sa shumë revista, se sa shumë portale, media apo gazeta të mëdha kanë shkruar për Shqipërinë si destinacion. Nuk është rastësi që Shqipëria ka arritjen më të madhe në turizëm që pas pandemisë. Nuk ka shans që ti nëse punon në një vend tjetër dhe punon një punë të zakonshme, të marrësh më shumë para sesa të kthehesh në tokat e gjyshërve dhe të bësh një investim të vogël këtu. Fiton të paktën dyfishin sesa fiton jashtë. Dhe atë e ri-investon. Dua ta mbyll me dy gjëra. Pavarësisht se koha nuk na ka ndihmuar. Deri tani fatura e energjisë elektrike ka të njëjtin çmim para se të niste kriza e energjisë. Mbase ju kujtohet kur unë e paralajmërova që jemi përpara një krize energjetike. Dikush tjetër tha që “ky vetëm fatkeqësi do, sepse ky qeveris vetëm përmes fatkeqësive”.
Ne paguajmë 80 % të faturës tuaj të energjisë dhe vetëm 20 % u ngelet qytetarëve. Ne kemi bërë që inflacioni i luftës të mos jetë aq agresiv sa ç’është në vendet e tjera të rajonit. Sikur të gjitha këto të mos kishin ndodhur, tërmeti dhe pandemia, do të ishin 420 milionë euro më shumë që do të ishin për investime”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb