TIRANE – Porti i Shëngjinit është vlerësuar me çmimin e artë për cilësi, menaxhiml, lidership dhe planifikim strategjik nga organizata ndërkombëtare për Certifikimin e cilësisë BID grup. Çmimi Quality Era Award i është dorëzuar në Gjenevë të Zvicrës, Drejtorit të Portit të Shëngjinit Gjovalin Tushaj i cili ishte i pranishëm në ndarjen e çmimeve të përvitshme ku merrnin pjesë përfaqësues nga 178 vende të ndryshme të botës.

“Është një vlerësim tejet i rëndësishëm që do të thotë më shumë angazhim për ta bërë Portin e Shëngjinit një nyje strategjike për veriun e Shqipërisë dhe shtetasit kosovarë”, deklaroi menjëherë pas kthimit në Shëngjin, Drejtori Gjovalin Tushaj.

“Ky çmim ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm, pasi në prani të 178 shteteve të botës u dha çmimi Gold për përkushtimin kundrejt cilësisë, menaxhimit, lidershipit dhe planifikimit strategjik për Portin e Shëngjinit. Ky çmim ka ardhur si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme që ne kemi pasur me ndërkombëtarët. Kjo do të thotë që ne do të kemi një angazhim më të madh në të ardhmen për të bërë të mundur realizimin e të gjitha projekteve dhe të gjitha objektivave që i kemi vënë vetes si qëllim për ta kthyer këtë port në raport të drejtë me historinë , një port me histori shumë të madhe, një port strategjik dhe një port shumë i rëndësishëm për veriun e Shqipërisë dhe për Kosovën”, shtoi më tej, Tushaj.

Pas kompanisë shtetërore Ruse Gasprom, Porti i Shëngjinit bëhet enti i dytë shtetëror që vlerësohet me një çmim të tillë Gold. Kjo vëmendje ndaj Shëngjinit ka bërë që edhe interesimi i të huajve drejt këtij porti të jetë shumë i madh vitet e fundit, ku nuk kanë munguar edhe investimet.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: