Danijel Subasic, portieri i Kroacisë, rrezikon të mungojë në gjysmëfinalen e Botërorit kundër Anglisë.

Arsyeja kryesore është se 33-vjeçari pësoi një dëmtim në ndeshjen e fundit kundër Rusisë, teksa luhej koha shtesë. Gjithsesi pasi mori mjekimin Subasic vijoi lojën deri në fund, por kur jemi dy ditë para gjysmëfinales me “Tre Luanët” prezenca e tij është në pikëpyetje, shkruan “SPORTBible”.

Ndërkohë portieri që aktivizohet me Monaco-n ka edhe një çështje me FIFA-n. Kualifikimin kundër Danimarkës Subasic ia dedikoi shokut të tij të ndarë nga jeta, Hrvoje Kustiç, i cili 10 vite më parë u largua nga kjo botë si pasojë e përplasjes me kokë me betonin rrethues të një fushe futbolli.

Poshtë bluzës Subasic mbante një fanellë ku të stampuar kishte portretin e Kustiç, gjë e cila u konsiderua si shkelje nga FIFA. Për këtë arsye lojtari mori një paralajmërim:

“Një paralajmërim është lëshuar për një thyerje të tillë të rregullave për lojtarin Danijel Subasiç, për shfaqjen e mesazheve personale në festimin në fund të ndeshjes,”-theksonte FIFA.

Pavarësisht kësaj Subasic veproi njëjtë edhe në ndeshjen çerekfinale kundër Rusisë, duke dalë hapur kundër FIFA-s. Mbetet të shihet nëse do merren masa për përsëritjen e veprimit të Subasic, por do të ishte një turp për FIFA-n duke parë që nuk janë pezulluar futbollistë të cilët festimet e tyre i kanë patur me prapavijë politike.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb