Presidenti i Portugalisë Marcelo Rebelo de Sousa rezultoi pozitiv në testin e koronavirusit të ri (COVID-19).

Në një deklaratë të Presidencës së vendit thuhet se 72-vjeçari Rebelo de Sousa nuk ka shfaqur asnjë simptomë të koronavirusit deri më tani, por do të vetizolohet në rezidencën e tij zyrtare.

Në njoftim thuhet se presidenti më herët gjatë ditës kishte rezultuar negativ në testin e antigjenit, por në mbrëmje rezultoi pozitiv në testin PCR.

Rebelo de Sousa ishte në karantinë për gjysmë dite pas zbulimit të koronavirusit më 6 janar tek njëri nga këshilltarët e tij të cilin ai e kishte takuar më 4 janar dhe vazhdoi programin e tij zyrtar me këshillën e mjekëve pasi testet ishin negative.

Rebelo de Sousa është edhe njëri prej kandidatëve në zgjedhjet presidenciale të planifikuara për më 24 janar, ndërsa sondazhet e konsiderojnë atë si favorit për të fituar zgjedhjet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb