KURBIN

Policia e Kurbinit ka gjetur të fshehura në tokë, armë zjarri, granata e municion luftarak në fshatin Sanxhak. Sipas burimeve zyrtare, falë besimit dhe bashkëpunimit me qytetarët, shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me specialistët e Njësisë Antieksploziv, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se në fshatin Sanxhak, Kurbin, përreth banesës së shtetasit Korab Përleka, 43 vjeç, kishte të fshehura armë zjarri dhe municion luftarak, menjëherë kanë organizuar punën për gjetjen e tyre.

Gjatë kontrollit të ushtruar në oborrin e banesës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura në tokë: 1 mitraloz, 1 pushkë, 11 granata, 30 ndezës granate dhe 55 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Shtetasi Korab Përleka, 43 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin, aktualisht po vuan dënimin në I.E.V.P. Shënkoll, Lezhë, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Materialet në ngarkim të këtij shtetasi u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë falënderon qytetarët për besimin dhe mbështetjen dhe fton cilindo që disponon informacion për paligjshmëri, të informojnë në numrin 112 apo Komisariatin Dixhital, duke iu garantuar anonimat të sigurt dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: