MILOT- Ish-godina e komisariatit të policisë në Milot është degraduar totalisht, ndonëse për dekada me radhë ka shërbyer si një godinë e tillë. Implementimi i Reformës Administrative Territoriale në vitin 2015, bëri që kjo postë të shkrihej dhe efektivët të zhvendoseshin në komisariatin e Kurbinit.

Dikur ajo shërbente si e tillë për faktin se Miloti ishte njësi vendore më vete, ndërsa sot është njësi administrative në varësi të Bashkisë së Kurbinit.

Gjendja në të cilën është kthyer ky objekt i cili ishte pikënisje për çdo problem të banorëve të Milotit, është për të ardhur keq. Vetë banorët thonë se duhet një ndërhyrje e menjëhershme për riparimin e godinës ose të paktën të pastrohen ambientet përreth.

Banorët thonë se tani që ajo nuk është funksionale, duhet që të paktën të hiqen tabelat që tregojnë policinë pasi në shumë raste të huajt i drejtohen postës për të kërkuar ndihmë.

Nga ana tjetër, banorët e Milotit thonë që nëse godina të tilla nuk përdoren më, të paktën t’ju jepen të tjerëve në përdorim e të mos shkojnë drejt një degradimi të plotë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb