Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Morgan Ortagus, ka deklaruar se nuk i bashkangjitet projektligjit të Senatit i cili njeh ngjarjet armene të vitit 1915 si “gjenocid”. Ajo theksoi se lidhur me këtë çështje “pozicioni i qeverisë nuk ka ndryshuar”.

Në një deklaratë me shkrim lidhur me projektligjin nr.150 që Senati Amerikan miratoi javën e kaluar, Ortagus tha se “Pozicioni i qeverisë nuk ka ndryshuar (lidhur me ngjarjet e vitit 1915). Pikëpamja jonë mbi këtë çështje është ashtu siç është reflektuar në muajin prill në deklaratën e qartë të presidentit (Donald Trump)”.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump më 24 prill në një deklaratë me shkrim lidhur me ngjarjet armene përdori shprehjen “fatkeqësi e madhe”. Ai nuk përdori ndonjë shprehje që konfirmon pretendimet në fjalë për “gjenocid”.

Senati Amerikan me një votim të zhvilluar javën e kaluar miratoi një projektligj i cili njeh si “gjenocid” ngjarjet armene në vitin 1915. Projektligji i votuar ishte paraqitur nga senatori demokrat, Bob Menendez dhe senatori republikan, Ted Cruz. Projektligji, i miratuar nuk përmban obligim ligjor.

Edhe më 29 tetor, Dhoma e Përfaqësuesve votoi një projekt-rezolutë të ngjashme e cila njihte si “gjenocid” ngjarjet e vitit 1915.

Turqia kundërshton paraqitjen e incidenteve si “gjenocid” dhe thekson se hapat në fjalë “nuk kanë asnjë dispozitë”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb