Kryedemokrati Lulzim Basha gjatë fjalës së tij në Parlament ka akuzuar qeverinë se prioritet kanë përdorimin e paciptë të parave të familjeve shqiptare në shërbim të klientëve të tyre.

Basha tha se Shqipëria po përballet dhe do të përballet me efektet shkatërrimtare që sjell largimi i mjekëve, inxhinierëve, ekspertëve.

Sipas tij një zgjidhje që PD ofron është vettingu i politikanëve, një nismë e shumëpritur nga qytetarët dhe që nga disa anatemohet si drakoniane. Më tej ai tha se PD nuk do të heqë dore nga synimi për një horizont të ri në përfaqësimin politik, që do të përmirësojë cilësinë e vendmimmarrjes, do të normalizojë politikën, do të rigjallërojë demokracinë.

Pjese nga fjalimi

“Jam i vetëdijshëm që disa prej qytetarëve mund të jenë lodhur nga shifrat e shumta që kanë dëgjuar këto javë për shkak të debateve mbi buxhetin Sidomos nga shifrat e larta që shpesh herë është vështirë t’i rrokësh në jetën e zakoshme. Por 2 miliardë euro për 7 kontrata e reja me PPP, tregojnë qartë se prioritet kanë përdorimin e paciptë të parave të familjeve shqiptare në shërbim të klientëve të tyre. Prandaj, kur e pyesin për largimin e shqiptarëve, ngre supet Sepse atë karrige e mban me dhe për një grusht të vogël oligarkësh. Jo për ndërtimin e kushteve të domosdoshme që të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi ta ndërtojnë të ardhmen këtu, pranë familjeve dhe njerëzve të dashur.

Dhe kjo cmenduri me paratë e qytetarëve të vendit më të varfër të Europës, 50% e të cilëve jetojnë me rrezikun e varfërisë dhe përjashtimit social, sipas Eurostatit me një shifër që është më e larta në rajon dhe 2 herë me e lartë se mesatarja e BE-së. Kjo cmenduri dhe babëzi për pushtet dhe pasuri, ka bërë që të eksportojmë shqiptarë, të cilëve u është mohuar një e ardhme më e mirë në vendin e tyre, e të importojmë hallexhinj, nga cepat më të largët të botës, për të zëvendësuar bijët dhe bijat e shqiptarëve, me skllevër modernë, pa të drejta politike. Ndaj edhe sot, kur PPP-të zënë gjysmën e prodhimit të brendshëm bruto, sipas FMN-së, me borxhin publik më të lartë të historisë, përgjigja e kërij që ulet prapa, për cmimet e rritura, për konsumin dhe të ardhurat për frymë më të ulëta në Europë, është si ajo për largimin e shqiptarëve:  një ngritje supesh. Pak problem është për ta se Shqipëria po përballet dhe do të përballet me efektet shkatërrimtare që sjell largimi i mjekëve, inxhinierëve, ekspertëve, pra e pjesës më të gjallë dhe të kualifikuar të shoqërisë.

Pak problem është për ta se largimi i të rinjve do të godasë pamëshirshëm ekonominë e vendit, me rënien e pashmangshme të fuqisë punëtore. Pak problem është për ta që sistemi arsimor po përballet me rënien e vazhdueshme të numrit të nxënësve dhe studentëve. Pak problem është për ta që kjo zbrazje e klasave, në të gjitha nivelet, do të thotë rënie e numrit të mësuesve dhe pedagogëve. Pak problem është për ta se rënia e popullsisë, që do të thotë edhe rënie të lindjeve, do të godasë sistemin shëndetësore dhe atë të pensioneve. Sepse hallet e tyre nuk janë hallet e qytetarëve, por koncesionet dhe PPP-të.

U mjafton që zinxhiri i interesave që lidh politikanët e korruptuar dhe oligarkët të vazhdojë të qarkullojë miliarda euro, e ti pastrojë ato në parajsat fiskale, pa shqetësimin më të vogël se kjo rrotë e dhjamosur nga babëzia e pafre po rrokullis drejt humnerës ekonomike shumicën dërrmuese të shoqërisë shqiptare. Natyrisht, kjo masakër me taksat e shqiptarëve, e cila prodhon edhe gjendjen e zymtë ekonomike dhe shoqërore në të cilën ndodhet vendi, nuk mund të ndalet me fjalë, as vetëm raporte ndërkombëtare që tregojnë natyrën e vërtetë të një pushteti të korruptuar. Ajo që ndodh jashtë kësaj salle, e ka origjinën në këtë sallë, ku shumica e qytetarëve nuk përfaqësohet si e tillë, për shkak të aleancës së politikanëve me krimin e organizuar dhe korrupsionit. Dhe zgjidhja që ne ofrojmë për qytetarët shqiptarë është vettingu në politikë.

Një instrument që shërben për pastrimin e politikës dhe njëkohësisht krijon premisat e domosdoshme për rritjen e përgjegjshmërisë të politikanëve. Në mënyrë të tillë që të mos përfaqësojnë interesa korruptive dhe kriminale, por interesat e qytetarëve. Duke thyer bashkëpunimin mes politikës, krimit dhe oligarkisë, ne mund të adresojmë realisht krizën e korrupsionit që ka gjunjëzuar shetin, ka shkërmoqur demokracinë, dhe po mbyt të ardhmen e Shqipërisë duke e bërë të pajetueshme për shqiptarët. Që parlamenti, qeveria dhe institucionet e tjera që u përkasin qytetarëve, të punojnë për familjet shqiptare, për problemet e vogla dhe të mëdha që shqetësojnë cdo ditë njerëzit e këtij vendi, duhet të mos jenë strehë për ata që kanë abuzuar me besimin e qytetarëve dhe që janë pasuruar në kurriz të tyre, duke marrë vendime dhe ulur e ngritur kartonat në shërbim të krimit apo oligarkisë. Padyshim e di, që kjo nismë e shumëpritur nga qytetarët, nga disa anatemohet si drakoniane. Shoh edhe se si po shkelet syri ekraneve mes atyre që duken të pangjashëm në tip, por janë të ngjashëm në halle. I shoh teksa po saldojnë edhe aleanca të fshehta e publike, të diktuara nga frika që ju ngjall përballja me atë që i kanë bërë këtij vendi, të dëshpëruar për të ruajtur status quo-në dhe ekuilibrat e vjetër. Por rendi i gjërave ka ndryshuar njëherë e përgjithmonë. Prandaj kundërshtarët e vettingut në politikë do të jenë një pakicë e papërfillshme, pasi të paktë janë përfituesit nga abuzimet që kryejnë ata që kthyen jetën e shqiptarëve në makth

Ndërsa të shumtë, në fakt shumicë absolute janë të gjithë ata shqiptare e shqiptarë që përfitojnë nga fundi i makthit të korrupsionit dhe krimit të lidhur me politikën. Madje edhe më të paktë duhet të ishin ata në radhët e Partisë Socialiste që kundërshtojnë propozimin e Partisë Demokratike. Sepse pasi i kanë shtuar vettingut për gjyqtarë e prokurorë, edhe  vettingun për policinë dhe tani vettingun për noterët, nuk kanë asnjë arsye për të mohuar për veten, atë që kanë votuar e duan të votojnë për të tjerët.E në rast se nuk pranojnë t’i nënshtrohen të njëjtit proces që kanë bërë të detyrueshëm me ligj për të tjerë, atëhere, cdo politikan i këtij vendi, më të varfërin e më të korruptuarin në Europë, duhet të dalin përpara qytetarëve, dhe ta thonë troc që e konsiderojnë veten e mbi ligjin. Apo njësoj si derrat e Fermës së Kafshëve të Orëell-it, të pranojnë me zë të lartë se “janë më të barabartë se të tjerët”! Megjithatë, në asnjë rast projekti ynë nuk do të ndalet. As nga “derrat e kënaqun”, as nga politikanët e frikësuar nga korrupsioni apo lidhjet e tyre me krimin. Pasi ashtu sikurse luftuam për dekriminalizimin, që në fillim e kundërshtuan, por në fund u detyruan ta pranojnë, ashtu do të luftojmë për vettingun e politikanëve, dhe do ta cojmë një hap më para pastrimin e politikës. Duke hapur një horizont të ri në përfaqësimin politik, që do të përmirësojë cilësinë e vendmimmarrjes, do të normalizojë politikën, do të rigjallërojë demokracinë dhe do të zhbëjë status quo-në që mban peng të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

 

 (BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb