*Cani: Buxheti 2016, ul taksat, nxit punësimin, rrit kompetencat e pushtetit vendor*

TIRANE- Konferenca e Kryetarëve është mbledhur pasditen e sotme për të prezantuar dhe diskutuar projektbuxhetin për vitin 2016. Në fillim të kësaj mbledhje, deputeti demokrat Edmond Spaho tha se opozita nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë pr.buxhet dhe paketën fiskale, pasi sipas tij “Na keni njoftuar dy orë para”. Spaho tha më tej, se projektbuxheti dhe paketa fiskale nuk janë hartuar sipas rregullores.

“Jemi mbledhur në kushtet kur nuk kemi asnjë informacion për përmbajtjen e buxhetit dhe ligjet fiskale që e shoqërojnë. Jemi njoftuar para dy orësh. Programi që është paraqitur për shqyrtim, duhet të ishte hartuar në bashkëpunim edhe me nënkryetaren e Komisionit të Ekonomisë, nuk është bërë, është hartuar në kundërshtim me ligjin.

Sipas rregullores pjesë e kalendarit duhet të jetë edhe shqyrtimi i ligjeve fiskale që e shoqërojnë, gjë që duhet të diskutohen në komisionet përkatëse”, tha Spaho.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, u shpreh pro vijimit të prezantimit të projektbuxhetit 2016 nga ministri i Financave, duke shtuar se diskutimi për kalendarin mund të bëhet në vijim.

“Në mbledhjen e kaluar u kërkuar që ky buxhet të vijë sa më shpejt brenda afateve, ndaj jemi mbledhur. Kalendari do të miratohet në seancën e radhës plenare. Propozoj të vazhdojmë me prezantimin, dhe kur të diskutojmë sa i takon kalendarit, do kemi kohën e mjaftueshme për të diskutuar deri të enjten kur është edhe seanca”, tha Meta.

CANI: BUXHETI 2016, UL TAKSAT, NXIT PUNËSIMIN, RRIT KOMPETENCAT E PUSHTETIT VENDOR
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se buxheti i vitit të ardhshëm mbështet disa sektorë tradicionalë dhe bazë për zhvillimin e vendit dhe përmban nxitës të ndryshëm për punësimin.

Sipas kryefinancierit Cani, buxheti i 2016-ës mund të quhet buxheti i zhvillimit rajonal, pasi rrit kompetencat e pushtetit vendor. “E kthen qeverisjen vendore në një pushtet që ofron mundësi dhe potenciale zhvillimi”- tha ministri.
“Ky buxhet nuk i rrit taksat, përkundrazi i ul ato, janë rreth 83 mijë biznese me xhiro vjetore nga zero në 5 milionë që do të përjashtohen nga detyrimet tatimore. Nga ky përjashtim tatimor do të punësohen apo vetëpunësohen mijëra persona. Në sajë të reformave të ndërmarra nga kjo mazhorance, investimet publike do të jenë rreth 6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.”- deklaroi Cani.
(el.sp/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb