TIRANE– Anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të Partisë Demokratike kanë braktisur mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, teksa po diskutohej projektbuxheti i vitit 2018.

Deputeti demokrat Edmond Spaho tha se PD-ja nuk pranon të bëhet pjesë e fasadës të kësaj qeverie të lidhur sipas tij me krimin. Duke iu referuar cështjes ‘Tahiri’, Spaho tha se qeveria ka rënë.

“Qeveria ka rënë, prandaj duhet të dorëhiqet sepse është e lidhur me drogën. Ne nuk bëhemi pjesë e fasadës”- tha Spaho.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj paraqiti draftin para deputetëve dhe tha se objektiv në mandatin e dytë mbetet rritja ekonomike me rreth 4,5 %, por kjo nuk i ka kënaqur anëtarët e opozitës. Ahmetaj u shpreh se buxheti për shëndetësinë u rrit me 5.6% dhe paralajmëroi rritje të akcizës për duhanin. Sipas tij 61 mijë biznese të vogla ngelen jashtë skemës së TVSH-së.

“Akciza do rritet 7 lekë për paketë. Kjo është një formë për të mbrojtur shëndetin. Jemi të vendosur të luftojmë informalitetin. Nuk do ketë rritje të çmimeve”, tha ministri i Financave.

Gjatë fjalës së tij përfaqësuesi i PS, Taulant Balla tha se i vjen keq per PD dhe jo për LSI që i shkon nga mbrapa. Ndërsa për bojkotin e opozitës, Balla tha se janë shqiptarët ata të cilët do ta gjykojnë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb