TIRANË

Për kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi ligji i bashkëqeverisjes sjell mbivendosje me institucionet në vend. Ndërsa mori fjalën në seancë plenare, Kryemadhi kërkoi rikthimin në normalitet të kuvendit, kjo edhe sa i përket mënyrës së votimit, kjo pasi sikundër u shpreh ajo i jep mundësi deputetëve të propozojnë ndryshime në nene të caktuara të ligjeve për miratim.

Megjithatë do të doja që të diskutoja disa pika shumë të rëndësishmë duke pasur parasysh se ne të gjithë së bashku në vitin 2013 kemi miratuar ligjin për nëpunësin civil që ka qenë vazhdimësi e direktivës së BE, një nga kushtet kryesore për të depolitizuar administratën publike dhe për ta çuar përpara këtë reformë. Kjo agjenci e cila propozohet nga qeveria nuk sjell gjë tjetër po vetëm mbivendosje. Çdo të thotë? Do të thotë që kemi një agjenci të krijuar me Kodin e Punës ku ndërkohë kemi Shërbimin Civil gjë që e bën të pamundur mbivendosjen mbi njëra tjetrën.

A është Kodi i Punës mbi statusin për nëpunësin civil, a është Kodi i Punës mbi autonominë vendore, a është Kodi i Punës mbi ligjin për bilbilfryrësit e kështu me radhë të gjitha të tjerat. Ka një mbivendosje përsa i përket shumë ligjeve që i kemi miratuar. Përsa i përket mbivendosjes me direktivën e BE mbi ligjin për nëpunësin civil. Mos ka ardhur koha për të krijuar një sindikatë të administratës publike gjë që do ta bënte të mundur reagimin e mënjehershëm ose oponencën ndaj një projektligji të tillë që vjen nga qeveria. Sepse mungesat e sindikatave nga njëra anë sjellin ndoshta indiferencën e nëpunësve apo të gjithë punëtorëve ndaj klasës politike. A do ishte e nevojshme krijimi i një sindikate të administratës publike në mënyrë që të mos lejonte krijimin e agjencie të tillë, që përveç se ka impakt të jashtëzakonshëm në buxhetin e shtetit do të sjellë impaktin mbi shumë shërbime të tjera.

Neni 52, cënon autonominë vendore, nëpunësi i bashkisë kujt do t’i përgjigjet, kryetarit të bashkisë, Këshillit Bashkiak, Agjencisë së kryeministrit, do t’i përgjigjet prokurorisë apo gjykatave. Neni 12, neni 56, cënojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Dëgjova pak më përpara një nga kolegët parafolës që tha se kemi institucione të dobëta dhe jemi për forcimin e këtyre institucioneve. Pra, sipas kësaj teorie i bie që institucionet tona të llogaridhënies nuk ekzistojnë, institucionet tona të kontrollit nuk ekzistojnë, këtu bëhet fjalë për prokurorinë dhe gjykatat. Do të marrim ne që t’i dalim përsipër prokurorisë dhe gjykatave me një agjenci e cila ngrihet me një vendim të kryeministrit. Për të vazhduar më pas për nenin 13/1 pika ç që nxjerr jashtë loje bilbilfryrësit. Nëse do të ketë nevojë për këtë gjë, atëhere hajde të ndryshojmë këto projektligje dhe këto ligje, t’i ndryshojmë dhe t’i riformatojmë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb