Në shtatorin e 2016-s, kur mbante ende detyrën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dorëzoi në Kuvend nismën e tij për mbrojtjen e kafshëve. Një vit më pas, më 11 tetor 2017 kur Tahiri mbante vetëm mandatin e deputetit, në lëmin e akuzave që vinin pa pushim nga opozita për përfshirje të tij në trafikun e lëndëve narkotike, gjeti kohë që në parlament të risillte një ligj të rëndësishëm, një nismë në të cilën besonte, “jo dhunë ndaj kafshëve”. Në 4 nenet e propozuara nga Tahiri parashikohen gjoba deri në 1.000.000 lekë dhe për braktisjen, plagosjen, vrasjen apo edhe shfaqjet e detyruara të kafshëve nga 2 vjet deri në 3 vjet burg.

Mirëpo, pr.ligji duket se zuri pluhur në Kuvend, pasi asgjë konkrete nuk u bë për dy vjet. Vetëm tani, me daljen jashtë nga parlamenti te ish-deputetit Saimir Tahiri, Partia Socialiste ka nisur të trazojë ujërat. Në mbledhjen e fundit të konferencës së kryetarëve, deputetja socialiste Ermonela Felaj, ka ngritur shqetësimin e mbetjes stok te kësaj nisme të ish-kolegut.

“Vijon të jetë në kalendar iniciativa për ndryshimin e Kodit Penal, e Saimir Tahirit, por kuptohet që nuk mund të vazhdojë më për sa kohë kolegu ka lënë mandatin. Unë gjykoj se ditët e fundit ka pasur shumë shqetësime për shkak se janë sulmuar njerëz dhe fëmijë. Unë besoj se iniciativën që ka paraqitur Saimiri mund ta rimarrë dikush nga ne dhe ta kalojmë, se nuk ka arsye që ta mbajmë në kalendar javë pas jave”,- u shpreh ajo.

Deputetja Felaj duket se nuk e ka kuptuar qartë nismën e ish kolegut Tahiri. Sikurse shihet në këto nene, ai ka kërkuar të mbrojë nga keqtrajtimi i njerëzvë, kafshët, ndërsa znj.Felaj flet për njerëzit që kafshohen nga kafshët.

Pra, PS jo vetëm që ka menduar të zëvendësojë punën e Ish-ministrit kampion, por edhe të marrë “meritat” duke shtyrë drejt miratimit final në parlament projektligjin. Ajo që është e sigurt, është fakti se socialistët nuk e kanë informuar ish-kolegun e tyre për finalizimin e nismës së tij. Ndaj mbetet për t’u parë, se sa i kënaqur do të mbetet ish-ministri Tahiri me këto veprime. Ndoshta do të kërkoje “autorësinë”, duke e quajtur ligji “Tahiri”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: