PRISHTINE- Njësia Speciale e Kosovës është nisur drejt Veriut të Kosovës, me qëllim që të parandalojnë hyrjen ilegale, sië thonë mediat e Kosovës, të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, të cilit iu mohua leja për të hyrë ligjërisht në Kosovë

Lajmin për ndalimin e hyrjes së ministrit serb e ka konfirmuar dje edhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. I pyetur në lidhje me zyrtarët serbë që kanë kërkuar leje të hyjnë në territorin e Kosovës për manifestimet e sotme, Pacolli tha se vetëm ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, i është ndaluar hyrja.

Ministri Pacolli nuk ka dhënë përgjigje në lidhje me arsyen e refuzimit të kërkesës së Vulinit, i cili pritet të marrë pjesë në manifestimet për festën ortodokse të Vidovdanit.

Mirëpo, nëse Vulin tenton që të hyjë në territorin e Kosovës ilegalisht, atëherë Policia e Kosovës do ta zbatojë ligjin. Këtë gjë e ka bërë të ditur Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Sipas Zyberajt, edhe partnerët ndërkombëtar të Kosovës janë të informuar për të gjitha veprimet që do t’i ndërmarre Kosova.

PARALAJMERIMI I MPJ: NESE VULIN HYN NE KOSOVE, ARRESTOHET
“Secili provokim që mund të bëhet, pasojat do ti bartë Beogradi ngase provokime te tilla i bën qëllimshëm. Partnerët ndërkombëtarë janë të njoftuar për secilin veprim tonin. Pertej konspiracioneve qe rendom prodhohen pastaj, është shumë e qartë se futja ilegale e kujtdo ne territorin e Kosoves, nenkupton zbatim te ligjit nga policia e Kosoves”, ka shkruar Zyberaj në facebook.

REAGIMI I SERBISE: NGJARJA ME VULIN, SKANDAL
Zyra e ashtuquajtur për Kosovë në Serbi, e ka cilësuar si skandal vendimin për ndalimin e hyrjes së Ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin në territorin e Kosovës, për festën e Vidovdanit.

Sipas tyre pas kësaj qëndron Kosova dhe ndërmjetësuesit evropian në dialog, shkruan gazeta serbe ‘Pink’. “Zyra për Kosovë dënon vendimin e Prishtinës dhe ndërmjetësuesit e dialogut në Bruksel. Ai vendim u morr për ta poshtëruar Serbinë”, thuhet në reagimin e tyre, transmeton lajmi.net.

Më tej, gazeta shkruan se Vulin do të mbajë konsultime urgjente më presidentin serb, Aleksandër Vuçiç për këtë çështje. Ndërkohë, Aleksandar Vulin nuk do të mund të hyjë në Kosovë nesër për të marrë pjesë në festimet e Vidovdanit, pasi autoritetet kosovare ia kanë ndaluar atij hyrjen në shtetin e Kosovës.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: