Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, foli për fushatën zgjedhore të 25 prillit dhe ndikimin që ajo mund të ketë në klimën e biznesit në Shqipëri. Ai iu bëri thirrje të gjitha forcave politike në vend që të ofrojnë programe më specifike në lidhje me ekonominë në përgjithësi.

“Ne inkurajojmë të gjitha forcat politike që të ofrojnë programe më specifike në lidhje me ekonominë në përgjithësi. Deri tani shohim, që ka qenë tipike në fakt dhe është normale po ta krahasojmë edhe me fushatat e kaluara, ku partitë fokusohen jo shumë në programet specifike mbi ekonominë. Ofrojnë disa elemente kryesore, por ne do donim që partitë të shkonin pak më tej. Ne inkurajojmë programe sa më teknike dhe sa më specifike”, u shpreh zyrtari i lartë.

Duke u ndalur sërish te korrupsioni në vendin tonë, kreu i Dhomës Amerikane deklaroi se “Ne kemi parashikuar disa rekomandime. Do preferoja t’i lëmë kohën ekspertëve të ministrisë të njihen me këto rekomandime, para se t’i bëjmë publike. Mendoj se këto rekomandime do të kenë rezultat, janë shumë specifike. Janë disa institucione ndërkombëtare, që janë të gatshëm të punojnë me qeverinë ose qeverinë e re mbi agjendën anti-korrupsion. Do të ishte e vlefshme për të bashkëpunuar me gjithë këto institucione”.

Enio Jaço foli dhe për dëmet e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit, duke thënë se “Ne kemi disa të dhëna që kanë të bëjnë me Dhomën Amerikane të Tregtisë, por që nuk jam gati t’i ndaj. Efekti ka qenë shumë i madh gjatë vitit 2020, por ne parashikojmë efekt të madhe dhe gjatë vitit 2021”.

Ndërsa, i pyetur nëse ka ndonjë kompania amerikane që kërkon të largohet nga Shqipëria, Jaço theksoi se “Qëndrimi jonë zyrtar është që Shqipëria ofron oportunitete të larta. Cështja e përmirësimit të klimës së biznesit është një cështje që ne jemi optimistë dhe mendojmë se me kalimin e kohës do të marrë zgjidhje. Ne mendojmë se forcat politike janë të interesuara të punojnë drejt përmirësimit. Do të doja të evitoja cdo koment për kompani të veçanta që do donin të iknin nga Shqipëria. Trendi nuk është i tillë, por ka kompani të veçanta”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb