Lëvizja centriste populiste ANO e kryeministrit çek, Andrej Babis fitoi zgjedhjet rajonale, pavarësisht kritikave për menaxhimin e krizës së koronavirusit.

ANO mori votat në 10 nga 13 rajonet çeke, gjatë zgjedhjeve rajonale të konsideruara si një tregues para zgjedhjeve legjislative të parashikuara vitin e ardhshëm.

“Ky është një sukses i madh. Nuk e prisja”, theksoi Babis për gazetarët duke falenderuar zgjedhësit që kanë votuar pavarësisht rritjes së numrit të infektimeve me COVID-19.

Sidoqoftë, ANO mund të ketë vështirësi për të marrë pushtetin në disa zona, pasi rivalët kanë krijuar aleanca për të kontrolluar shumicën e vendeve atje.

Në zgjedhjet e fundit rajonale në 2016, ANO fitoi në nëntë rajone por fitoi postin e guvernatorit rajonal në vetëm pesë prej tyre.

Kabineti i qendrës së majtë të Babis kohët e fundit është kritikuar nga disa për menaxhimin e luftës kundër përhapjes së epidemisë në këtë vend të BE-së prej 10,7 milionë banorë.

Pas kapërcimit të valës së parë të COVID-19 në pranverë, Republika Çeke po përballet që prej shtatorit me një rritje rekord infektimesh.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb