Kukësi është duke vijuar me përgatitjet në qytetin Bolu të Turqisë, me shpresën që lojtarët e afruar të integrohen sa më shpejt me pjesën tjetër të skuadrës. Trajneri Skënder Gega pret që ekipi të jetë plotësisht gati për sfidën e parë të sezonit, atë ndaj kampionëve të Tiranës më 20 gusht në Kukës.

Kukesi

Situata në kampin verilindor duket e qetë, gjë që vihet re edhe në seancat stërvitore, me Gegën që është munduar që përpos përgatitjeve intensive, lojtarët edhe të argëtohen gjatë stërvitjes. Me pak fjalë, përgatitjet në Turqi janë ndarë në tri faza: praktikë, teori dhe… relaks. Të mërkurën Kukësi do të rikthehet në Shqipëri për të vijuar përgatitjet para startit të kampionatit.

PRAKTIKA

Pjesën më të madhe të përgatitjeve e zë praktika në fushën e lojës, me Gegën që nëpërmjet lojërave të ndryshme kërkon t’u marrë maksimumin futbollistëve. Si një grup i bashkuar, të ndarë me nga 6-7 lojtarë të kapur prej duarsh, mbajnë topin në këmbë pa rënë në tokë deri te porta. Një kujdes i veçantë po tregohet edhe te shkuarja sa më shpejt në zonën kundërshtare dhe shënimin e golit, me ushtrime shpejtësie. Pasime të shpejta me vetëm një takim midis lojtarëve, teksa në fund ekipi duhet ta finalizojë aksionin me gol.

TEORIA

Gega nuk po mendon vetëm për pjesën praktike në fushë, por edhe atë teorike në letër. Mësohet se trajneri mbledh shpesh skuadrën në hotelin ku qëndrojnë të grumbulluar, duke u shpjeguar teorikisht atë që duhet të bëjnë në fushë. Kjo pjesë konsiderohet shumë e rëndësishme për trajnerin, pasi vetëm duke kuptuar pjesën teorike, lojtarët do të dinë t’i zbatojnë ato në fushë. Në fakt, duke qenë se skuadra këtë sezon ka bërë shumë ndërhyrje, është e nevojshme t’u shpjegohet thuajse çdo gjë nga fillimi, sepse vetëm kështu idetë që ka trajneri për skuadrën do të vihen në zbatim nga lojtarët.

RELAKSI

Zona e zgjedhur, me natyrën piktoreske, ka pasur edhe një ndikim pozitiv në anën psikologjike të ekipit. Pas mbylljes së stërvitjeve, në kohën e lirë lojtarët kanë mundësinë që të shëtisin në zonën e Bolusë dhe të relaksohen. Për Gegën, faktori psikologjik shihet si tejet i rëndësishëm në një skuadër, për më tepër që këtë sezon vijnë nga kultura të ndryshme sportive, ndaj edhe u ka dhënë pak më shumë liri për të qëndruar me njëri-tjetrin dhe të shëtisin. /PanoramaSport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: