FIER- Akuza për korrupsion pasiv ka çuar pas hekurave një prokuror të Prokurorisë së Fierit. Mësohet se organi i akuzës ka marrë lejen e gjykatës për të urdhëruar arrestimin e Petrit Vukajt.

Nga hetimi i deritanishëm i Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se Vukaj, në përmbushje të funksioneve të tij, nëpërmjet ndërhyrjes korruptive të disa personave, ka marrë përsipër zbutjen e kërkesës për dënimin e Elton Xhemalit, i paraburgosur për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, ngjarje e ndodhur kjo më datë 31 mars të këtij viti në aksin rrugor Levan-Tepelenë, me pasojë vdekjen e Përparim Bizhgës, Shef i Rendit në Policinë e Delvinës, pasagjer në mjetin e drejtuar nga i arrestuari Xhemali.

Në bazë të veprimeve hetimore është konstatuar se shtetasi Elton Xhemali, nëpërmjet vëllait të tij, Arjan Xhemali dhe oficerit të Policisë së Shtetit, Gazmir Nelollari, synon që të shmangë dënimin me burgim për veprën që i atribuohet. Po sipas organit të akuzës, për të arritur qëllimin e tyre, mësohet se Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari kanë kontaktuar me prokurorin e çështjes, Petrit Vukaj, i cili, në bazë të veprimeve të tij procedurale, dukshëm ka marrë përsipër zbutjen e pozitës proceduriale të të paraburgosurit Elton Xhemali, në këmbim të parave, e cila, sipas të personave të përfshirë është 300 mijë lekë të reja.

Pas ndërhyrjes së dyshuar korruptive, prokurori Vukaj, në seancën e datës 7 teteror të këtij viti në gjykatën e Fierit, kërkoi “dënimin me 2 vjet burgim për të pandehurin Elton Xhemali dhe pezullimin e dënimit e kalimin e tij në shërbim prove”. Kërkesa e prokurorit është pranuar pjesërisht nga ana e gjykatës, e cila vendos “dënimin me 18 muaj burgim”, por duke mos pranuar kërkesën e prokurorit për pezullimin e dënimit.

Ky vendim i gjykatës rezultoi se nuk ka kënaqur aspak të pandehurin Elton Xhemali, të cilit, i vëllai Arjan Xhemali dhe polici Gazmir Nelollari, i kishin dhënë garanci se kishin ndërhyrë të prokurori dhe ai do të dilte nga paraburgimi. I pandehuri Elton u kërkoi dy personave të tjerë që t’i marrin paratë që i kanë dhënë prokurorit Petrit Vukaj, pasi ai (prokurori) nuk e kishte mbajtur premtimin e tij.
Sipas prokurorisë, Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari kanë tentuar të qetësojnë të pandehurin Elton Xhemali, duke i bërë të ditur Elton Xhemalit se prokurori e ka bërë punën e tij, pasi ka kërkuar pezullimin e dënimit të tij.

Në vijim të hetimit, nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, fillimisht është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” për Elton Xhemalin, Arjan Xhemalin dhe Gazmir Nelollarin, për veprën penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit….”, vendime të cilat janë ekzekutuar nga ana e Policisë së Shtetit në datë 07.11.2015. Ndërkohë, po me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, në datë 26.11.2015, gjykata vendos masën e sigurisë “arrest me burg” për prokurorin Petrit Vukaj, i dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit, prokurorit….”.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: