TIRANE

Burime nga mbledhja e konferencës së kryetareve bëjnë me dije për “BalkanWeb” se është pranuar në parim ngritja e komisionit hetimor parlamentar për DSIK dhe se mazhoranca ka gati edhe emrat e anëtarëve.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha gjatë mbledhjes së konferencës së kryetarëve se: “Jemi dakord ne parim me çdo kërkese që vjen nga opozita, por vendimi të jetë në koherencë me ligjin per komisonet hetimore, vendimet përkatëse të gjykatës kushtetuese dhe legjislacionin rregulltator për informacionin e klasifikuar”.

Sakaq, deputeti i PD, Edi Paloka u shpreh se prej kohësh parlamenti është jashtë funksionit.

“Ky Parlament prej kohesh është jashtë funksioneve te tij. Praktikisht Parlamenti nuk funksionon me. Jam i detyruar te kërkoj për here te dyte shtyrjen e afatit te komisionit hetimor Tahiri sepse dy institucionet kryesore qe lidhen me hetimet , Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e përgjithshme e Policisë prej kaq kohesh nuk kane sjelle asnjë dokument apo informacion nga ata te kërkuar prej komisionit. Edhe pas ndërrimit te Xhafajt me Lleshin ka vazhduar i njëjti qëndrim qe përforcon bindjen se kemi te bëjmë me një qëndrim te përcaktuar, të urdhëruar nga Rama per bllokimin e hetimeve. Kjo është një shkelje jo vetëm e ligjit per komisionet hetimore por dhe vepër penale. Por ajo qe është edhe me e rende , ka të bëjë me daljen krejtësisht jashtë funksioneve te ketij Parlamenti për te cilin nuk pyet me as Lleshi i Rames në ministrinë e brendshme”- tha Paloka.

Kujtojmë se Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka kërkuar Kuvendit ngritjen e Komisionit Hetimor për veprimtarinë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), nisur nga rasti i pajisjes me certifikatë sigurie të zv.ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj, siç vëren presidenti në vetëm 24 orë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb