Pas fitores së tre Liga Kampionesh radhazi, shumë njerëz u habitën për largimin e Zinedin Zidanit nga stoli i Realit të Madridit. Në thuajse pesë muaj distancë, misterit të atij largimi më në fund i është dhënë përgjigje. Mediat spanjolle raportojnë se Zizu u ndie i tradhtuar nga presidenti Florentino Perez, i cili i kishte premtuar se do të shiste Garet Bejlin në verë dhe do të afronte në Madrid lojtarë si Muhamed Salah, Harri Kejn apo Eden Hazard.

Kthesa – Plani dukej i përsosur, por në finalen e Kievit, të fituar ndaj Liverpulit, pikërisht uellsiani ishte ndër më të mirët në fushë. Siç shpjegon “El Pais”, presidenti Perez i ka thënë Zidanit se nuk do të shesë Bejlin sepse ai ishte edhe më i mirë se Kristiano Ronaldo. Pikërisht kjo bisedë shembi planet e teknikut francez për të zgjatur qëndrimin e tij në krye të stolit të “Los Blancos”. Zgjedhja e Zizusë nuk ka qenë e lehtë, sidomos për shkak të lidhjeve të tij të forta me kryeqytetin spanjoll, por ai duhej të jepte një sinjal, të cilin nuk ngurroi ta shndërronte në fakt, pasi u shpall kampione Europe për klube.

“Hakmarrje” – Lista e dëshirave të Zinedin Zidanit mund të shndërrohej në diçka konkrete në rast se do të bëhej trajneri i Junajtidit. Ditët e Hoze Murinjos në Mançester duken të numëruara, me Zizunë që përbën profilin ideal për rolin e kreut të stolit. “Djajtë e Kuq” do të ishin një sfidë ideale për Zizunë për t’iu rikthyer sukseseve e njëkohësisht për të ngritur në nivelet më të larta një klub historik, pa harruar se me një skuadër kalibri, ai do të mund të kthehej në “Santiago Bernabeu” për të përfunduar “hakmarrjen” personale dhe sportive ndaj Florentino Perezit, njeriut që e shkeli në besë./Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb