Trajneri i mrekullive për shqiptarët”, është titulli që i ka vendosur gazeta gjermane “Ekspres.de” intervistës me trajnerin e Kombëtares, Xhani De Biazi.

Gazetari i kësaj mediaje ka shfrytëzuar udhëtimin e italianit në Këln për të takuar Mavrajn përpara grumbullimit të fundit të kuqezinjve.

Si u arrit kualifikimi?
Erdha në 2011-ën në Shqipëri. Nuk dija asgjë, nuk njihja asgjë. Sot jam një shqiptar me pasaportë. Nuk e kisha imagjinuar kurrë që do të shkonim në Francë. Kishim Portugalinë, Serbinë dhe Danimarkën në grupe, por i tillë është futbolli. Nuk është aspak logjik. Ishte arritja më e madhe në karrierën time dhe tregova edhe një herë tjetër se në Itali një teknik nuk është asnjëherë i lirë. Te Shqipëria kam bërë zgjedhjet që kam dashur.

Objektivi juaj për në Francë?
Është i thjeshtë: Mos flit, por ëndërro dhe shijoje, gjithmonë duke punuar. Ne duhet të bëjmë përgatitjet e duhura që të arrijmë maksimumin atje. Jemi në një nga grupet më të vështira, por… kurrë mos thuaj kurrë!

Ndeshje shumë emocionuese që në start…
E jashtëzakonshme! Shqipëri-Zvicër është si një derbi. Një lojë e fatit, sidomos për “Xhakat”.

Graniti kundër Taulantit tuaj, do ta donit në skuadër?

Patjetër që po. Megjithatë, ndodh edhe kështu. Një situatë e çmendur dhe ai do të luajë kundër vëllait të tij. Graniti është një lojtar i shkëlqyer që mund të udhëheqë skuadrën dhe mund të kontrollojë lojën. S’është aspak mirë për ne që do të jetë kundërshtar.

Një tjetër si Graniti është edhe Shkodran Mustafi…
Më lejoni t’ju tregoj diçka. E kam takuar Mustafin përpara se ai të luante ndeshjen e parë me kombëtaren gjermane. “A do të jesh pjesë e Kombëtares së babait tënd?”, e pyeta dhe ai m’u përgjigj: “Trajner, unë nuk flas mirë shqip. Jam kapiten i U-21 dhe për këtë nuk mund ta braktis Gjermaninë”. Për të ishte zgjedhje e mirë, u bë kampion bote.

Kush do të fitojë Europianin?
Për mua ka tri favorite: Gjermania, Belgjika dhe Spanja.
Në Shqipëri ju kanë quajtur edhe “mbreti”…
Më vjen mirë kur rrugëve në Shqipëri më thonë: “Jemi krenarë për ju”. Tashmë unë jam një prej tyre.
(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb