Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, Kristiano Ronaldo vazhdon të jetë protagonist, si për keq, ashtu edhe për mirë, sidomos në lidhje me sfidat me Barçës dhe Realit që të përkthyera individualisht janë mes tij dhe Leo Mesit. Me sa duket, portugezit jo gjithmonë i mjafton goli personal apo fitorja e të tijve.
Në sfidën e së dielës mbrëma, 32-vjeçari, përveçse vendosi një hipotekë të fuqishme mbi trofeun e Superkupës (ndeshja e kthimit është nesër në 23:00), vendosi të hakmerrej edhe ndaj Leo Mesit.

Në fakt, argjentinasi pak muaj më parë teksa vendoste në minutat e fundit fatin e “El Clasicos” së kampionatit në “Santiago Bernabeu”, vendosi që golin e fitores ta festonte duke i treguar publikut vendas pjesën e pasme të fanellës së tij. Kristiano e ka deklaruar shpesh që jeton me sfida dhe kjo përballje e “Pleshtit” ndaj popullit të tij ka mbetur një “kafshatë e pakapërdirë”. Në ndeshjen e së dielës, teksa shënonte golin e avantazhit për Realin, portugezi vendosi të festonte duke lëshuar fanellën në ajër dhe duke treguar muskujt.

Shokët vërshojnë ta përqafojnë dhe i fundit që ndalet pranë tij është Marselo, që pasi i thotë diçka (ndoshta i kujton episodin e fanellës së Mesit), i rikthen fanellën, të cilën Ronaldo e ngre për t’ia treguar të gjithë “Kamp Nou”-t, një gjest i ngjashëm me atë që Mesi bënte disa muaj më parë. Pas pak, luzitani do të ndëshkohej me kartonin e verdhë që disa minuta më vonë do t’i kushtonte daljen nga fusha pasi një pengim të tijin në zonë arbitri i ndeshjes e interpretoi si simulim. Karton i kuq ndal vetëm Ronaldon, por jo Realin që me anë të perlës së Asensios gjen golin e tretë. Tani topi është në fushën e Mesit që së bashku me të tijtë do të mundohet të gjejë një tjetër mënyrë festimi, për hapin e ardhshëm të kësaj sfide mes dy kampionësh absolutë./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb