Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku është debatuar për raportin tremujor të shefit të UNMIK-ut, ka pasur polemika të ashpra mes ambasadores së Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku dhe shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiç. Ndërsa, ky i fundit, duke parë se gënjeshtrat e tij nuk po shiten më, ka sulmuar verbalisht dhe ka fyer ambasadoren Çitaku pas përfundimit të mbledhjes.

Kryediplomati serb, Ivica Daçiç, e ka shfrytëzuar edhe këtë mbledhje të Këshillit të Sigurimit për të bërë akuza e shpifje në drejtim të Kosovës, veçmas lidhur me aksionin policor në veri të Kosovës kundër zyrtarëve policorë të dyshuar për kontrabandë dhe krim të organizuar.

Akuzave të Daçiçit i është përgjigjur në mënyrë të argumentuar ambasadorja Çitaku, e cila ka kërkuar edhe largimin e misionit të OKB në Kosovë, duke thënë se ai e ka humbur kuptimin.
Mbase i nervozuar që shpifjet dhe akuzat e tij në KS të OKB nuk janë përfillur pothuaj nga askush, shefi i diplomacisë serbe, pas përfundimit të mbledhjes ka sulmuar verbalisht ambasadoren Çitaku.

Teuta Sahatqija, konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork, e cila ishte e pranishme në mbledhjen e KS të OKB, ka sqaruar për Telegrafin gjithë ngjarjen.
Ajo tregoi se gjatë fjalimit të saj, ambasadorja Çitaku tha se “Kosova nuk është produkt i secesionit prej Serbisë por produkt i dekolonizimit prej saj”.
“Daçiçi nisi menjëherë me fyerje e fjalë të rënda, duke thënë se ajo [Çitaku] po gënjen dhe se nuk është e vërtetë”, tha Sahatqija.

“Kur u krye seanca ne u afruam te misionet e SHBA dhe Britanisë së Madhe për të protestuar për deklarimin e Nënsekretarit të Përgjithshëm për Çështjet Ligjore, Joao Miguel Ferreira, i cili në kërkesën tonë për ta takuar dhe diskutuar rreth Rregullores së UNMIK-ut 2000/49, na refuzoi dhe tha se nuk na takon sepse Kosova nuk është shtet. Në atë moment na u afrua Ivica Daçiç dhe nisi të fyente me fjalë banale”, tha Sahatqija.

“Ai nisi të thotë se është gënjeshtër teza e dekolonizimit dhe nisi të përdorë fjalë fyese, të rrugës”, tha Sahatqija.
Dje në Këshillin e Sigurimit, Daçiç akuzoi Kosovën se kanë sulmuar zyrtarin rus të UNMIK-ut në veri. Çitaku nga ana tjetër tregoi se ai zyrtar rus e ka penguar policinë e Kosovës ndërsa po kryente një aksion kundër krimit të organizuar në disa komuna, përfshirë këtu edhe ato veriore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb