Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky shkon të dielën në Hiroshima të Japonisë për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të udhëheqësve të Grupit të shtatë vendeve më të pasura të botës. G7-a pritet të vendosë më shumë sanksione ndaj Rusisë dhe të marrë masa ndaj vendeve që e ndihmojnë atë t’i shmangë sanksionet. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara nga Hiroshima, me këto hapa G7-a synon të vështirësojë aftësinë e Moskës për të financuar luftën e saj në Ukrainë.

Zoti Zelensky, që ndodhet në Arabinë Saudite për të marrë pjesë në takimin e Lidhjes Arabe, flet të premten përmes internetit në takimin e G7-ës, ndërsa të dielën do të udhëtojë për në Hiroshima ku do t’iu bashkohet udhëheqësve të shtatë demokracive më të pasura, në ditën e fundit të bisedimeve. Udhëheqësit e G-7-ës pritet të vendosin sanksione të reja kundër Rusisë me qëllim dobësimin e aftësive të Moskës për të financuar luftën e saj në Ukrainë.

Në një takim me kryeministrin japonez Fumio Kishida, Presidenti Joe Biden tha se grupi ndan vlera të përbashkëta. “Masat përfshijnë mbështetjen e popullit të Ukrainës ndërsa ata e mbrojnë territorin e tyre sovran dhe mbajtjen e Rusisë përgjegjëse për agresionin e saj brutal … për të siguruar një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur”, thotë presidenti amerikan, Joe Biden.

Shumica e sanksioneve janë vendosur nga SHBA-ja, kryesisht mbi asetet e rusëve me vlerë mbi 58 miliardë dollarë. Udhëheqësit e G7-ës lëshuan një deklaratë pas takimeve me dyer të mbyllura ku thanë se “mbështetja jonë për Ukrainën nuk do të lëkundet”. Ata u zotuan se do “të qëndrojmë së bashku kundër luftës së paligjshme, të pajustifikueshme dhe të paprovokuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”.

“Rusia e filloi këtë luftë dhe mund t’i japë fund kësaj lufte”, thanë ata. “Viti i kaluar ishte viti i sanksioneve. Unë mendoj se ky vit është viti i zbatimit të këtyre sanksioneve, si edhe për të shqyrtuar se çfarë kontrollesh shtesë për eksportin mund të vendosen për të siguruar që Rusia nuk është në gjendje të sigurojë kapacitete ushtarake dhe të teknologjisë që i nevojiten për të zhvilluar luftën e saj”, thotë Kimberly Donovan nga Qendra Gjeo-Ekonomike e Këshillit Atlantik.

Megjithatë, grupi nuk do të shpallë një ndalim gjithëpërfshirës për mallrat e eksportuara në Rusi. Takimi i nivelit të lartë gjithashtu do të përqendrohet në kundërshtimin e asaj që grupi e quan “shtrëngim ekonomik” të Kinës apo praktikat ekonomike që Pekini i shfrytëzon për të rritur ndikimin tek shtetet e treta të cilave iu ka dhënë hua apo ku ka investuar. “Gjatë takimit, unë do të doja të shprehja vendosmërinë e palëkundur të G-7-ës për të mbështetur rendin e lirë dhe të hapur ndërkombëtar të mbështetur në sundimin e ligjit”, thotë kryeministri japonez, Fumio Kishida.

Kërcënimet bërthamore të presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës, së bashku me valën e provave me raketa të Koresë së Veriut dhe arsenalin bërthamor të Kinës që po zgjerohet me shpejtësi, kanë kontribuar që Japonia ta bëjë çarmatimin bërthamor një pjesë të rëndësishme të takimit të G7-ës. Ndërsa samiti u hap të premten, udhëheqësit e vizituan strukturën e vetme që është ende në këmbë pas bombardimit me bombë atomike të qytetit në vitin 1945 nga SHBA-të, tani një memorial për paqen./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb