Alban Seferi, i biri i ish-presidentit të ndjerë të Tiranës në vitet ’90, Metush Seferi, ka reaguar ekskluzivisht për “Panorama Sport” pas lajmit për bllokimin e llogarive të FSHF-së.

Ky vendim ka lidhje direkte me borxhin e pashlyer të klubit bardheblu ndaj ish-presidentit Seferi, teksa bëhet fjalë për një shumë që i kalon 600 milionë lekë të vjetër.

Djali i të ndjerit ka rrëfyer të gjithë historinë me FSHF-në dhe klubin e Tiranës, duke konfirmuar atë që është shkruar në gazetë ditët e fundit. Ai është i indinjuar nga reagimi që ka bërë institucioni i futbollit, që sipas Alban Seferit, ka gënjyer hapur.

Alban Seferi 1
Alban Seferi 1

Si është historia juaj dhe cilat janë pretendimet që keni?

Bashkë me tim atë, të ndjerin Metush Seferi, prej vitesh presim të zbatohet ligji. Ky është thelbi i kësaj historie. Ne i jemi drejtuar institucionit të federatës jo si borxhlinj, por si palë që menaxhon të ardhurat e klubit Tirana. Paratë që përfiton klubi nga e drejta televizive dhe UEFA, që është edhe zëri kryesor i të ardhurave, në këtë rast kalojnë përmes FSHF-së. Kjo e fundit duhet të bëjë kalimin e thjeshtë të parave që i vijnë nga UEFA, nga numri i llogarisë së saj te numrat e llogarisë së klubit, por ama vetëm ata zyrtarë. Kjo është thjeshtësisht e verifikueshme, sepse klubi i Tiranës ka vite që i ka të bllokuara llogaritë.

Ju nuk keni marrë asgjë nga borxhi që ju ka klubi?

Po të ishin kaluar këta lekë siç pretendon federata, do të ishte shumë e thjeshtë për ne që presim. Për fatin e keq të Tiranës, nuk është vetëm familja ime që pret prej vitesh të shlyhet nga klubi, por janë shumë të tjerë. Vetëm në rrugën ku unë banoj janë të paktën tri hotele që nuk janë shlyer prej vitesh nga Tirana. Përmes zyrës përmbarimore është çuar akti dhe kemi kërkuar informacion në FSHF. Fillimisht ka pasur hezitim nga institucioni i federatës e më pas na është thënë që do të na kalojnë shifrën që ka përfituar Tirana përmes së drejtës televizive.

Çfarë ndodhi më pas?

Më pas, ka nisur stepja dhe kjo na ka çuditur më shumë në raport me FSHF-në. Ky institucion tashmë i ka llogaritë të bllokuara dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme në faqen zyrtare të Gjykatës së Tiranës, pasi së fundmi ka bërë edhe një kërkesë për zhbllokim të llogarive. Zyra përmbarimore e ka të qartë këtë situatë. Në këtë histori FSHF-ja merr përsipër të bëjë transfertën e parave, por këtë nuk e ka bërë kurrë dhe tashmë guxon të bëjë edhe fletërrufe duke kërkuar të përgënjeshtrojë një lajm të vërtetë dhe të konfirmuar në gjykatë. FSHF-ja duhet të kuptojë se nuk ka lidhje fare se çfarë bëjnë dy ortakët e shoqërisë me njëri-tjetrin, por të kalojë lekët në numrin e llogarisë së klubit e më pas merrem unë me Refik Halilin, si ortakë të shoqërisë “International Trade”. Mirëpo, institucioni i futbollit nuk e ka bërë këtë, por me mënyra të tjera ka bërë një kalim prej 300 mijë eurosh nga totali i parave që ka dhënë UEFA për Tiranën, teksa klubi ia ka kërkuar për rroga lojtarësh. Më pas, nuk ka bërë asgjë tjetër dhe s’dimë ku kanë shkuar 900 mijë euro që janë dhënë nga UEFA.

Cili ka qenë kontakti juaj i fundit me përfaqësuesit e FSHF-së dhe çfarë ju kanë thënë?

U bë vite që përmbarimi merret me këtë çështje. Herë pas here kur Tirana ka pasur të ardhura për të marrë nga UEFA apo burime të tjera, ne kemi dërguar shkresa në FSHF përmes zyrës përmbarimore, por nuk kemi marrë përgjigje. Këtë herë, pasi shkuan përmbaruesit në FSHF, është marrë një përgjigje ku duhet të kalonin një shumë të caktuar. U ra dakord, por sërish FSHF nuk e zbatoi. Pasi iu la një muaj e gjysmë kohë federatës për kalimin e shumës, kjo shifër është bllokuar nga përmbaruesit. Mirëpo, edhe pse është bllokuar, prapë nuk po zbatohet, pasi as bankat nuk e kalojnë. Kanë qenë llogaritë e bllokuara të FSHF-së, por kjo pak më intereson.

Tashmë si prisni të zgjidhet kjo histori?

Unë kam vetëm një kërkesë: Pse FSHF nuk kalon lekët për pjesën e borxhit që kanë ndaj meje në llogarinë zyrtare të klubit të Tiranës? Ky klub a paguan rroga? Nga cila llogari i paguan gjobat dhe si ia vjel federata? Meqë është organizatore e garës, dua të di a mundet që një federatë të lejojë një klub si Tirana për kaq vite me radhë në këtë situatë? Më këtë lojë që bën nën rrogoz FSHF, i kërkoj me shumë përulësi të zbatoj vetëm ligjin dhe të mos bëhet pjesë e paligjshmërisë. Ne kërkojmë thjesht të zbatohet ligji, ndërsa të tjerët po e anashkalojnë dhe punojnë nën rrogoz. Është e pabesueshme që hasim këtë pengesë nga institucioni më i lartë.

Keni marrë ndonjë premtim nga presidenti Refik Halili?

Si familje historikisht nuk i kemi dashur asnjëherë të keqen Tiranës. Mirëpo, nga shumë anë kjo na ka dëmtuar, sepse shumë të vërteta nuk i kemi thënë. Refik Halili me pelivanllëqet e veta, bashkë me ortakët e tij, po mundohet të zvarrisë sa më shumë këtë çështje. Jemi të mbushur me emocione negative, pasi bëhet fjalë për një klub me borxhe pa fund. Ku janë dhe ku kalojnë lekët e këtij klubi? Kjo është pyetja më e thjeshtë që duhet t’i jepet një përgjigje.

Sa është detyrimi që Tirana duhet të shlyejë ndaj kompanisë që është drejtuar nga babai juaj?

Borxhi është mbi 600 milionë lekë të vjetër që Tirana i detyrohet shoqërisë së babait tim të ndjerë. Ky është një vendim i formës së prerë, që nuk ka të drejtë rekursi në asnjë gjykatë në botë. Kemi të bëjmë me një çështje totalisht të përfunduar nga ana ligjore. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb