“Elbasan Arena” rikthehet sërish që të jetë “streha” e Kombëtares. Pas ndeshjes me Izraelin që u luajt në këtë impiant, për shkak të problemeve me sigurinë në Shkodër, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që edhe sfida me Lihtenshtejnin, e programuar për në datën 2 shtator, të luhet në stadiumin e Elbasanit.

Burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë institucionit më të lartë të futbollit shqiptar, konfirmojnë se kjo sfidë e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018” është vendosur të luhet në “Elbasan Arena”. Mbetet vetëm çështje ditësh konfirmimi zyrtar nga ana e FSHF-së për këtë gjë.

ARSYEJA

Të njëjtat burime konfirmojnë se një nga arsyet kryesore që kjo përballje të luhet në Elbasan, ka të bëjë me rëndësinë e ndeshjes dhe kundërshtarin që kuqezinjtë kanë përballë. Lihtenshtejni nuk përbën një interes shumë të madh për sportdashësit, ndaj është parë e udhës ta dërgojnë në Elbasan.

Arsyeja tjetër ka të bëjë edhe me faktin se vetë FSHF-ja ndihet më komode në menaxhimin e një ndeshjeje ndërkombëtare në “Elbasan Arena”, duke filluar nga afërsia me kryeqytetin, deri tek detajet e tjera teknike.

Por, edhe përplasjet e shpeshta me Bashkinë e Shkodrës, kanë pjesën e vet në këtë përzgjedhje, sepse është i njohur fakti, që në të kaluarën, këto dy institucione kanë pasur herë pas here përplasje me njëra-tjetrën.

ITALIA

Ndonëse përballja me “axurrët” e Italisë do të luhet në datën 9 tetor dhe mund të ketë kohë për ta ndarë përfundimisht se ku do të zhvillohet sfida, në “Elbasan Arena” apo “Loro Boriçi”, gazeta mëson se për këtë përballje nuk ka ende një vendim përfundimtar nga ana e FSHF-së.

Megjithatë, burimet tregojnë se stadiumi i Shkodrës nuk shihet me shumë dëshirë për ndeshjet e Kombëtares dhe avantazhi i vetëm që ka është kapaciteti më i madh. Interesimi i madh nga sportdashësit për të ndjekur këtë takim, mund të “detyrojë” FSHF-në që ta dërgojë ndeshjen në Shkodër, përpos dëshirës që kanë.

Duhet thënë se ndeshja e fundit që është luajtur në Shkodër është ajo me Spanjën dhe pas saj, dy sfidat e tjera janë luajtur në Elbasan (Izraelin dhe Bosnjen). Me Lihtenshtejnin bëhen tri sfida larg Shkodrës dhe sipas të gjitha gjasave edhe me Italinë do të luhet në Elbasan.

Duket sikur pak e nga pak, ka nisur “aneksimi” i “Loro Boriçit” për ndeshjet e Kombëtares dhe deri në ndërtimin e stadiumit të ri në Tiranë, kuqezinjtë do të jenë mysafirë në Elbasan. Megjithatë, për sfidën me 4 herë kampionët e Botës, të dyja pistat janë të hapura dhe mbetet për t’u parë se ku do të luhet ndeshja e fundit për këto kualifikuese./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: