Dilema të mëdha kanë shoqëruar kryeministrin, Edi Rama deri në përzgjedhjen e emrit që do të propozonte për të zëvendësuar Saimir Tahirin në postin e ministrit të Brendshëm.

Burime shumë pranë tij pohojnë për “BalkanWeb” se kreu i ekzekutivit pothuajse gjatë gjithë së dielës është konsultuar me bashkëpunëtorët e tij më të afërt për emrin e ministrit të ri, nisur nga rëndësia që ka ministria e Brendshme por edhe duke patur parasysh faktin se ka qenë institucioni më i kritikuar jo vetëm nga opozita por edhe nga LSI-ja, veçanërisht për çështjen e kanabisit.

I lakuar fillimisht si kandidat për këtë detyrë, zv/kryeministri Niko Peleshi ka qenë një emër që edhe pse në parim pranohej nga Rama, nuk mund të propozohej si ministër i Brendshëm, sa kohë ai është edhe koordinator i PS-së në Qarkun e Korçës, shkak për të cilin u shkarkuan edhe 4 ministrat e tjerë.

“BalkanWeb” mëson se për këtë arsye Rama mendoi të propozonte pikërisht kreun e Komisionit parlamentar të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, ish-ministër Drejtësie dhe ish-kryetar i Komisionit të Posaçëm kuvendor për Reformën në Drejtësi, gjithashtu një figurë e rëndësishme në PS.

Burime shumë pranë kryeministrit raportojnë fillimisht se vetë Xhafaj ka patur dilemat e tij për të pranuar detyrën e ministrit të Brendshëm. Madje “BalkanWeb” mëson se për disa orë Rama ka negociuar në shtëpinë e tij me Xhafaj që ai të pranonte propozimin, nisur edhe nga fakti që ai ka qenë i ndikuar nga një vlerësim pozitiv që figura Xhafaj ka marrë nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë, veçanërisht për rolin që ai luajti në drejtimin e reformës në drejtësi.

Vlerësimi dhe mbështetja nga ambasada e SHBA-ve duket se e kanë bindur përfundimisht Xhafaj të pranojë detyrën e re.

Gjithashtu vlen të theksohet se Xhafaj ka brenda koalicionit qeverisës profilin e një politikani “të fortë” të PS-së që nuk ka nguruar edhe të debatojë mes LSI-në kur çështja është shtruar për nevojën e miratimit të ligjeve që deri diku janë kritikuar nga aleati kryesor i  PS-së.

Madje kujtojmë se ka qenë pikërisht Xhafaj që gjatë negociave për miratimin e reformës në drejtësi i kërkoi publikisht Ilir Metës që “dashuria na ka mbaruar, por të paktën të ruajmë qetësinë”. Ndaj dhe kjo lëvizje e Ramës mund të interpreohet edhe si një kundërpërgjigje ndaj aleatit të tij në koalicion, për t’i kthyer “reston” e shkarkimit të Saimir Tahirit, që gjithashtu ka qenë i kritikuar nga LSI.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb