Nga: Dr. JORGJI KOTE*
Gjatë ditëve të fundit ka patur disa veprimtari të rëndësishme në fushën e biznesit; vëmendjen publike e kanë tërhequr edhe disa vizita të ministrit tonë të Jashtëm të kombinuar me atë të Ekonomisë dhe Energjetikës në disa vende, si në Japoni, Kuvajt, Itali, Gjermani, Azerbajxhan, Holandë, etj. Me këtë rast, ata kanë zhvilluar takime pune edhe me drejtuesit më të lartë të biznesit në këto vende. Sipas njoftimeve zyrtare, theksi është vënë në sfidat, hapat dhe risitë lidhur me konkretizimin dhe nxitjen e biznesit/investimeve ose shkurt të diplomacisë ekonomike. Nga ana teorike, rëndësinë e këtij komponenti themelor të politikës së jashtme e ka evidentuar qartë një ndër autoritetet më me zë të kësaj fushe, ambasadori indian Keshan Rana. Ai e përkufizon diplomacinë ekonomike si një “ proces që synon maksimizimin e përfitimeve kombëtare në fushat e ndryshme të biznesit – tregti, investime dhe forma të tjera përfitimesh ekonomike falë avantazheve të tyre krahasuese”.
Forcimin e diplomacisë ekonomike që në fakt është shumë e hershme e kanë nxjerrë aktualisht më në pah globalizimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, zgjerimi i shoqërive shumëkombëshe, shtrirja e ekonomisë së tregut në vendet ish-komuniste, ashpërsimi i konkurrencës për teknologji dhe investime të huaja, dhe së fundi siguria energjetike dhe e naftës, etj.
Edhe në vendin tonë ky dimension i ri po konceptohet dhe realizohet drejt si një proces tërësor dhe i larmishëm. Veç të tjerash, ai po zhvillohet në organizata, grupime dhe forume ekonomike, tregtare dhe financiare ndërkombëtare. Më kryesoret ndër to janë Banka Botërore dhe FMN-ja, Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), OECD-ja, Banka Europiane e Investimeve; ku vendi ynë ka mbi 20 vjet që është anëtar aktiv në këto dhe organizata rajonale të ngjashme.
Ndërkohë, me gjithë mangësitë, po intensifikohet roli i diplomacisë zyrtare dhe përfaqësive diplomatike jashtë shtetit, në bashkëpunim dhe në mbështetje të dikastereve të linjës, programeve dhe projekteve të tyre. Ministritë e Jashtme, sipas kushteve specifike e kanë diplomacinë ekonomike ndër komponentët më kryesorë të veprimtarisë së tyre. Ndonëse deri vonë, diplomatët apo atashetë ekonomikë konsideroheshin të rangut të dytë apo të tretë, në këto 20 vitet e fundit, diplomacia ekonomike ka dalë nga periferia duke iu afruar gjithnjë e më shumë qendrës së shërbimit të jashtëm. Kështu, Departamenti Amerikan i Shtetit ka një nënsekretar të posaçëm shteti që drejton diplomacinë ekonomike, kurse India dhe Brazili kanë komitete të veçanta; Zvicra ka një ndër institucionet më efikase ndërkombëtare – Zyrën e Promovimit të Tregtisë (Swiss Trade promotion Office). Ndërsa Gjermania, ku eksportet japin 45 për qind të GDP-së e ka renditur diplomacinë ekonomike ndër tre shtyllat kryesore të politikës së saj të jashtme. Falë një vlerësimi të tillë për diplomacinë ekonomike, Belgjika u bë mikpritëse e Ekspozitës Botërore Tregtare (EXPO) qysh përpara Luftës së Parë Botërore dhe sërish në vitin 1958.
Edhe vendet e rajonit tonë po ndjekin pak a shumë këtë linjë veprimi. Kështu, Maqedonia në vitin 2012 filloi të praktikojë dërgimin për një periudhë trevjeçare me status diplomatik pranë ambasadave të saj të 35 “promotorëve ekonomikë” si të dërguar të Agjencisë së saj të Investimeve.
Vetëkuptohet që dhe te ne ka ardhur momenti për një hap cilësor në këtë fushë plot sfida madhore. Koha dhe nevojat diktojnë kalimin nga marrëveshjet dhe premtimet me partnerët e interesuar në këtë fushë, në veprime konkrete e të bashkërenduara. Për këtë kërkohet krahas të tjerash, specifikim dhe adresim konkret i kërkesave e jo punë “në bllok”. Kjo bën të domosdoshme edhe rritjen e bashkëpunimit institucional ndërmjet organeve drejtuese të enteve dhe dikastereve përkatëse, duke caktuar drejtime, detyra por dhe fondet përkatëse për secilin aktor dhe agjenci të përfshirë në këtë proces.
Me gjithë kufizimet ekzistuese, më mirë po vlerësohet edhe aspekti i tretë i domosdoshëm – aktorët dhe faktorët e tjerë të rëndësishëm ekonomikë, si firmat, bankat publike dhe private, vendase e të huaja, e në veçanti agjencitë e nxitjes së investimeve bashkë me Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë; këto të fundit në vendet perëndimore kanë mjaft kompetenca dhe peshë në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe shtimin e tyre si dhe në hartimin e kuadrit ligjor përkatës. Në disa raste, si në Japoni, Austri, Gjermani, Belgjikë, etj, ato kanë përfaqësuesit e tyre me status diplomatik apo filiale pranë metropoleve më të rëndësishme politike dhe ekonomike botërore. Në rastin e vendit tonë, krahas disa shenjave premtuese lidhur me shtrirjen e veprimtarisë së agjencive të lartpërmendura, çështja tashmë shtrohet nëse i kanë dhe se në çmasë burimet njerëzore, financiare dhe mbi të gjitha kompetencat për veprim dhe sa u afrohen “ homologëve” të tyre në vendet e tjera. Në këtë kuptim, nuk është e tepërt të kërkohet nga Dhoma e Tregtisë, apo firmat dhe agjenci të fuqishme që në bashkëpunim mes tyre të fillojnë të hapin edhe zyrat e tyre të përfaqësimit në disa prej metropoleve më të mëdha, duke filluar nga Brukseli. Sepse, siç dëgjon të thuhet shpesh “nëse do të dëgjohesh, fol në Bruksel”, pra “Brukseli është vendi i duhur”.
Një rezervë e madhe që po shfrytëzohet me efektivitet në këtë fushë janë dhe rreth 90 Konsujt tanë të Nderit jashtë vendit. Jo thjesht dhe vetëm nga funksioni i tyre që është shumë më tepër se emri i tyre honorifik, por në radhë të parë nga cilësitë dhe mundësitë e tyre të pakufizuara në këtë fushë. Me respekt për të gjithë, për disa arsye dhe avantazhe specifike dalluese të saj, po ndalemi te zonja Anduena Stephan( Sopiqoti). Është një nga dy Konsujt e Nderit zonja që kemi; në një land si Nord Rhein Westfalia, më i madhi në Gjermani me rreth 18 milionë banorë; ku veç të tjerash, kanë selinë disa nga firmat më të fuqishme në botë, me interes në rritje për investime në Ballkan dhe në vendin tonë. Anduena ka përfunduar studimet e larta në Tiranë e pastaj në Londër për biznes me rezultate të shkëlqyera; krahas integrimit të suksesshëm në shoqërinë gjermane, ajo ka krijuar me kohë familjen e saj shqiptaro-gjermane në Essen; ka një karrierë të pasur si drejtuese biznesi në po atë qytet, por me mendjen përherë dhe tek Atdheu i saj. Ndaj, gjatë 20 viteve të fundit, Anduena ka pendeluar ndërmjet Tiranës, Berlinit dhe Esenit; fillimisht si drejtuese e departamentit në gjigantin gjerman “Hochtief” që ndërtoi dhe Aeroportin e Rinasit; pastaj drejtuese e një firme që synon shtimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Gjermanisë, vendit tonë dhe rajonit në përgjithësi, me theks te diaspora jonë dhe këto vitet e fundit si Konsullja jonë e Nderit. Nisur dhe nga bashkëpunimi që kam patur mbi 10 vite më parë gjatë punës në Ambasadë në Berlin, mendoj se është privilegj dhe lehtësi e madhe për përfaqësitë tona të kenë një ndihmë dhe mbështetje të përkushtuar dhe të kualifikuar nga diplomate ekonomike; për më tepër, që kanë dhe një imazh, integritet dhe besueshmëri tejet të lartë! Pas Essenit, disa ditë më parë, Anduena ishte organizatore e dy forumeve me jehonë në rrethet afariste “Dialogu i Biznesit” me një përfaqësim të nivelit ministror dhe Ambasadorial në Tiranë dhe në Prishtinë. E përmendëm këtë shembull edhe për të treguar se sa të mëdha janë hapësirat e pashfrytëzuara të aktorëve dhe faktorëve të shumtë në fushën e promovimit të diplomacisë së suksesshme ekonomike. Kësisoj, krahas diplomacisë zyrtare me rolin, vendin dhe kufizimet e veta të njohura, ka shumë vend dhe mundësi praktike që dikasteret dhe agjencitë përkatëse ta luajnë më mirë rolin e tyre si “violinë e parë” në këtë proces afatgjatë me përfitime të shumta si në fushën ekonomike, ashtu dhe në atë të imazhit publik të vendit.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: