Presidenti i Institutit “Pashko”, Preç Zogaj në një intervistë në News24 foli për përçarjen në Partinë Demokratike. Gjatë kësaj interviste ai tha se ish-kryeministri Sali Berisha duhet t’i japë jetë ideve të tij për të bashkuar partinë.

“Bashkimi duke asimiluar palën tjetër, nuk ka aspak rezultat”, ka thënë ai.

Më tej shtoi se premisa për bashkim do të krijonte vetëm heqja e vijës ndarëse dhe kjo sipas tij do ti hapte rrugën një organizimi gjithëpërfshirës.

Pjesë nga biseda në studio:

Përçarja në PD:

Preç Zogaj: Mendoj se bashkimi është i mundur duke hequr vijën ndarëse. Ndarja ka ndodhur për një arsye dhe heqja e vijës ndarëse krijon premisa për bashkim dhe kjo do t’i hapte rrugën një organizimi gjithëpërfshirës që synon zgjedhje të lira dhe të barabarta , nxjerrjen e një lidershipi. Kjo është rruga e Bashkimit, nuk shoh mundësi të tjera.

Lirimi i Saimir Tahirit:

Preç Zogaj: Shpjegimet e avokatit nuk ka arsye të mos jenë të pavërteta. Nëse ligji shqiptar e lejon që një person me heqje lirie mund të kthehet në familje kur bashkëshortja apo familjarë janë në kusht pamundësie për të bërë një jetë normale , nuk besoj se ka ndonjë gjë për të komentuar. Nëse nuk do të ishte e vërtetë, atëherë do të ishte një skandal për drejtësinë. Përtej kësaj dënimi i ish ministrit të Brendshëm është një dënim i natyrës cilësore më shumë se sa sasiore dhe ka mbetur një ngjarje edhe në jetën e asaj që e quajmë drejtësia e re në Shqipëri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: