Pas rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha në sheshin “Skënderbej”, në shkollën e bashkuar “Skënderbej” kishte shpërthyer revolta. Ishte ngritur “Komisioni Nismëtar për Rivendosjen e Monumenteve dhe Figurës së Enver Hoxhës”, që kërkonin takim me përfaqësues të Partisë Demokratike.

Pasi u dorëzuan një letër, Sali Berisha nisi Neritan Cekën të dëgjonte Komisionin.

Çfarë ndodhi në këtë takim nën plumba dhe se si iu kthye ushtarakëve në të kundërt, na tregon Preç Zogaj në librin e tij “Fillimet”, botim i UET Press.

PREÇ ZOGAJ

NGJARJET E SHKOLLËS SË BASHKUAR TË OFICERËVE

Të nesërmen, më 22 shkurt, ishte radha e enveristëve të nxirrnin dufin dhe të tentonin revanshin. Në Ministrinë e Mbrojtjes po kërkohej rivendosja me forcë nga trupat e ushtrisë e një statuje të re të Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”, kurse Ramiz Alia po akuzohej hapur si tradhtar. Shkolla e Bashkuar e Oficerëve “Enver Hoxha” ishte bërë qendra e reaksionit dhe rebelimit enverist. Rreth orës 10:00 të mëngjesit në selinë e PD-së mbërritën dy oficerë të kësaj shkolle. Kërkuan takim me kryetarin, Sali Berisha. Njëri prej tyre, më i shkurtri, që tërhiqte vëmendjen edhe për shkak të uniformës së zhubrosur që dukej qartë se nuk e kishte hequr nga trupi prej disa ditësh, i dorëzoi Berishës një letër. Dy oficerët u larguan kryelartë pa pritur që kryetari i PD-së ta lexonte letrën e tyre. Ky i hodhi një sy dhe ia kaloi Neritan Cekës ta shihte edhe ai. Ishte një ftesë për të marrë pjesë në një mbledhje që do të mbahej atë ditë në mjediset e Shkollës së Bashkuar. Mbledhjen e kishte thirrur “Komisioni Nismëtar për Rivendosjen e Monumenteve dhe Figurës së Enver Hoxhës”. Berisha dhe Ceka nënqeshën me emërtimin “Komision Nismëtar”, që ushtarakët e kishin zgjedhur me siguri si një imitim revanshist të emërtimit që kishte pasur forumi i parë drejtues i Partisë Demokratike. Por kur panë kërkesat që i bashkëngjiteshin ftesës, nuk nënqeshën më. Përmbajtja e tyre ishte shumë seriozë. “Komisioni Nismëtar” kishte zëvendësuar komandat e Shkollës se Bashkuar dhe Akademisë Ushtarake dhe nuk e njihte më autoritetin e Ministrit të Mbrojtjes, Kiço Mustaqi. Komisioni kërkonte dorëheqjen e Presidentit Ramiz Alia me motivacionin se nuk kishte urdhëruar mbrojtjen me armë të monumentit të Enver Hoxhës dhe rivendosjen provizorisht në sheshin “Skënderbej” të një statujë të Enverit që gjendej në hyrje të Shkollës së Bashkuar. Më tej, kërkohej që Komisioni të merrte në ruajtje RTSHnë, stacionin e trenit dhe ndërtesat qeveritare. Mbledhja do të bëhej pasdreke, rreth orës 16:00. Ishin ftuar të merrnin pjesë edhe përfaqësues të Komitetit Qendror të PPSH, të Ministrisë së Brendshme, asaj të Mbrojtjes, të Kryeministrisë, të Komitetit Shqiptar të Helsinkit…

-Ky është një puç ushtarak,-tha Berisha.- Neritan, do të shkosh ti dhe t’ua thuash mendimin tonë.

Neritan Ceka u nis nga selia e PD-së me makinën e Institutit të Arkeologjisë, të cilën e ngiste Agim Arapi. Mori me vete Agron Çikën dhe skicografin e Institutit, Pullumb Naipin, anëtar i PD-së. Rrugës, pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, morën Abdi Baletën, që ishte angazhuar me Komitetin Shqiptar të Helsinkit. Kishte marrë edhe Baleta një ftesë nga “Komisioni Nismëtar”.

Te Shkolla e Bashkuar gjendja ishte ajo e një kuartieri që përgatitet për luftë. Mbi tarracat e ndërtesave rreth e rrotull ishin vendosur mitralozë të rëndë, ndërsa përpara tyre qëndronin në gatishmëri trupat e Brigadës së Kombinatit të Tekstileve dhe shkollës ushtarake dyvjeçare të Zall Herrit. Disa dhjetëra sambistë të repartit 326, të armatosur deri në dhëmbë, vigjilonin pranë hyrjes kryesore. Në oborrin e brendshëm të shkollës kadetë dhe ushtarakë të tjerë ishin grumbulluar para një tribune, ku mbaheshin fjalime histerike të shoqëruara herë pas here nga kënga e njohur “Enver Hoxha tungjatjeta/ sa këto male, sa këto shkrepa/ zanin shqipes lart ia ngjite/ gjithë këtë popull në drite e qite”.

Të gjithë, folës dhe dëgjues ishin të armatosur me armët që kishin marrë nga depot e shkollës.

Ceka, Baleta, Çika dhe Naipi u ngjitën në një sallë në katin e dytë ku do të mbahej mbledhja. Anëtarët e “komisionit nismëtar, njëri më agresiv se tjetri, ishin ulur rreth një tryeze. Neritan Ceka do rrëfente më vonë se anëtari më i ri atij komisioni, një “beks”, siç quheshin kadetët e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, ishte ulur pranë tij dhe po e vështronte kërcënueshëm.

“Vëllain tim që është me ju, po më doli para, do ta vras”, i tha beksi.

“Ku është vëllai yt dhe pse do ta vrasësh”? e pyeti Ceka.

“Është student në Institutin e Arteve”, iu përgjigj tjetri. “A e shef këtë pallto”, vazhdoi, duke treguar kapotën e tij prej cohe të ashpër si gur smerili. “Këtë ma ka dhënë partia mua”! Për atë kapotë mejtonte të vriste vëllanë. Ishte një detaj kuptimplotë për të kuptuar atmosferën dhe shkallën e indoktrinimit dogmatik të nxënësve e studentëve atje.

Mbledhja zgjati rreth dy orë. Folën anëtarët e Komisionit, përfaqësuesit e Komitetit Qendror, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme. Të gjithë kundër PD-së që po tregohej me gisht si shtriga e madhe. Neritan Ceka dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës në atë mbledhje e ndjenin shtrëngimin e rrezikshëm të rrethimit nga ana e ushtarakëve puçistë, që për momentin besonin se kishin marrë komandën e mund të bënin ligjin.

“Kjo që po ndodh sot në Shkollën e Bashkuar, ka një emër dhe quhet puç ushtarak”, ua plasi pa hyrje-dalje Neritan Ceka. Dhe vazhdoi: “Për këtë do të mbani përgjegjësi ligjore, prandaj kërkoj të kthehen nxënësit dhe studentët nëpër fjetore dhe klasa, të dorëzohen menjëherë armët në depo, të rivendoset komanda e Shkollës dhe e Akademisë, t’i bindeni ligjit dhe Komandantit të Përgjithshëm. Përndryshe, do të shkoni në gjyq ushtarak!”. Nga jashtë vinte jehona e zhurmave kërcënuese të ecejakeve, ndërsa ushtarakët e Komisionit Nismëtar brenda ishin stepur nga fjalët e përfaqësuesit të Partisë Demokratike. E kishin thirrur për ta paralajmëruar dhe po paralajmëroheshin prej tij. Avdi Baleta u ngrit pas Cekës dhe argumentoi si jurist se veprimet e të ashtuquajturit Komision Nismëtar ishin të paligjshme dhe të rrezikshme.

Të shtëna armësh në oborr dhe nga tarraca e Shkollës së Bashkuar pasuan fjalët e tij mu sikur dikush nga brenda mbledhjes të kishte arritur t’u njoftonte oficerëve jashtë qëndrimin e përfaqësuesve të opozitës. Këta vendosën të largoheshin pasi i kishin thënë të gjitha ato që duheshin thënë. Jashtë i priste një furgon i blinduar i Policisë. Po futeshin në furgon, kur disa sampistë të repartit 326 i panë dhe u sulën për t’i kapur. Oficeri i Policisë që shoqëronte Neritan Cekën tërhoqi derën dhe furgoni u nis nën goditjen e qytave të automatikëve. Porta e jashtme e shkollës u hap. Përmes plumbave që shtiheshin nga tarraca e shkollës kaloi në fillim makina e Institutit të Arkeologjisë, pastaj makina e blinduar e Policisë.

Televizioni shtetëror lajmëroi në mbrëmje se një vajzë e re që po shihte televizor në apartamentin e saj ishte plagosur rëndë nga të shtënat kuturu të ushtarakëve. Plumbat e verbër do t’i merrnin jetën gjithashtu një polici nga Pogradeci, që po kalonte rastësisht në rrugën para kampusit të shkollave ushtarake.

Ndërkohë, lajmi se në atë bunker fanatikësh po përgatitej një grusht ushtarak shteti dhe rivendosja e një statuje të Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej” ishte përhapur në mbarë Tiranën. Qindra mijëra njerëz, burra dhe gra, të rinj e të moshuar dolën nga shtëpitë dhe vendosen në një rrethim civil të pashembullt kampusin e shkollave ushtarake, duke u ndërprerë ujin dhe energjinë elektrike të rrethuarve që i konsideronin “golpistë”. Por nuk u mjaftuan me kaq. Pati edhe plane e organizime për t’i sulmuar, por kjo nuk u pranua nga më të urtët e rrethuesve. Shumë shpejt u pa qartë se nuk ishte e nevojshme të shkohej me tutje. Rrethimi civil e kishte bërë punën e vet. Pjesa më e madhe e ushtarakëve ia kishin gjetur anën të iknin nga kampusi, ndërsa “beksat”, siç u tha atëherë, qanin nga frika.

Të nesërmen rreth mesditës, në selinë e PD-së trokitën përsëri përfaqësuesit e “Komisionit Nismëtar”. Kësaj here ishin të trembur dhe kokulur. Kërkuan ndihmën e PD-së për të ndaluar sulmin e mundshëm dhe heqjen e rrethimit nga ana e qytetarëve. Berisha i dëgjoi me keqardhje dhe me një përqeshje të brendshme që nuk donte ta tregonte. Thirri sërish Neritan Cekën. “Shko dhe një herë, Neritan, dhe shiko si mund ta zgjidhim situatën”. Azem Hajdari që kishte qëlluar në zyrën e tij në atë moment, nuk ishte dakord. “Doktor, nuk mund të dërgosh në çdo rrezik Neritanin!”, i tha. Berisha i dha të drejtë. Ngarkoi Azemin, Arben Imamin dhe Leka Meksin të shkonin dhe të provonin heqjen e rrethimit qytetar të Shkollës së Bashkuar. Këta organizuan po atë ditë një miting me rrethuesit, të cilëve u bënë thirrje të ktheheshin në shtëpi duke qenë se rreziku i revanshit apo grushtit të shtetit me pikënisje nga Shkolla e Bashkuar kishte dështuar. Me këtë miting revolta e ushtarakëve enveristë brenda kampusit të tyre u shua. Por enveristët në pjesën tjetër të vendit ishin në kulmin e organizimit dhe përpjekjeve për të bërë diçka të padëgjuar. Shqipëria kishte hyrë në javën më të mjegullt, më të turbullt dhe më të rrezikshme të historisë së saj të dekadave të fundit, kur groteskun e anabasit enverist nga lufta civile i ndante një fije floku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb