NGA ORNELA MANJANI*

TIRANË- Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi e vlerëson si të panevojshëm operacionin anti-informalitet që qeveria do të nisë në shtator në të gjithë vendin. Sipas Preçit, ky operacion është i panevojshëm, sidomos në rast se fokusohet te bizneset e vogla. Sipas tij, është detyrë themelore e çdo qeverie që të mbledhë taksat dhe nuk është e nevojshme që të bëhen kërcënime apo paralajmërime. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, Preçi shpjegon argumentet kundër vendimit të qeverisë dhe përfshirjes së të gjitha strukturave shtetërore në një punë që duhet ta bëjnë administrata tatimore dhe ajo doganore.

Si e vlerësoni paralajmërimin e qeverisë për aksionin kundër informalitetit?
Mendoj se ky paralajmërim duhet parë në dy plane kryesore. Së pari, është ndër detyrat themelore të çdo qeverie që të mbledhë taksat dhe nuk është e nevojshme që të bëhen kërcënime apo paralajmërime; qeverisja është dhe duhet të jetë në punë pavarësisht stinës… Kjo sepse kuadri ligjor është në fuqi, madje në mjaft raste, bizneset ankohen se ky kuadër është disi represiv për to dhe se inspektorët tatimorë kanë fuqi të madhe veprimi mbi bizneset, se i vizitojnë shpesh pa ndonjë analizë të mirëfillte risku, se bëjnë presione korruptive dhe se mbajnë qëndrime selektive, nisur ndoshta edhe nga konsiderata politike etj.
Me këtë dua të them, se qeveria është duke përmbushur detyrat e saj nëse kërkon që të paguhen taksat sipas ligjeve në fuqi nga çdo subjekt tatimpagues, e për këtë ajo (qeveria) duhet mbështetur nga çdo qytetar i vendit dhe çdo biznes i ligjshëm që operon në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Së dyti, mbetet për të parë nëse qeveria do t’i drejtojë njerëzit dhe mjetet në dispozicion të saj (të ashtuquajturin “aksion”) drejt bizneseve të vogla, bizneseve familjare, të vetëpunësuarve etj., d.m.th. drejt bizneseve të vogla (që në fakt janë në kushte shumë të vështira operimi), do të veprojë ndaj biznesit të mesëm (që në fakt është rënduar jo pak nga rritja e taksave gjatë dy viteve të fundit), apo do të veprojë atje ku duhet, d.m.th. do të mobilizohet për të nxjerrë taksat nga bizneset e mëdha që kanë bërë në të shkuarën dhe bëjnë edhe sot evazion të konsiderueshëm fiskal, falë lidhjeve të tyre politike dhe mbrojtjes që gëzojnë edhe për shkak të mbipërfaqësimit të tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo zgjedhje është edhe dilema dhe sfida e vërtetë e qeverisë aktuale në këtë përpjekje legjitime për të bërë më funksional sistemin fiskal, një ndër hallkat më të rëndësishme të sistemit.

A është i vonuar?
Personalisht mendoj se qeverisja është një “segment” kohor që fillon ditën kur merr detyrën dhe mbaron ditën kur e dorëzon atë. Në këtë këndvështrim, nuk është normale që të ketë fushatizëm, mobilizim vend e pa vend strukturash të tjera (siç ishte rasti i 6 mijë policëve për lojërat e fatit dhe që përfundoi pa asnjë shkelës të ligjit të ndaluar, heqje licence, ndëshkime me gjobë etj., dhe askush nuk di as sot e kësaj dite nëse u shtua ndonjë lek në arkën e shtetit).

Pra, mendoj se ka nevojë që të përgatitet me kujdes infrastruktura përkatëse, mandej secila hallkë e qeverisjes të bëjë punën e saj. Në rastin konkret, a nuk do të ishte më e udhës që Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave të blinte kasat fiskale që mungojnë si dhe të shtetëzonte ato ekzistuese (duke iu kthyer paratë bizneseve që i disponojnë aktualisht ato), dhe brenda 10 ditëve t’i shpërndante kasat e reja, duke mobilizuar për këtë qëllim mbi bazë territori edhe policinë, edhe nxënësit e shkollave, edhe mësuesit etj.?! Kjo do të ishte mënyra më e mirë për të formalizuar ato biznese që janë jashtë sistemit, d.m.th. informale, por edhe për të bërë një census (regjistrim) të vërtetë të biznesit në shkallë vendi.

Cili është dallimi midis kasës fiskale dhe aparatit matës të energjisë elektrike apo të ujit nga pikëpamja e funksionit? Unë mendoj se kështu, as lind nevoja të krijohen monopole të reja “me ligj”, siç është bërë me kasat qysh nga viti 1994, as të ushtrohet presion mbi bizneset, por mund të vihej rregull në kaosin e sotëm. Në këtë mënyrë bëhej e mundur që për inspektimet të përdorej inteligjenca fiskale, ndoshta edhe vetëmbulimi me inspektorë tatimorë. Veçanërisht tani, mbas riorganizimit të njësive territoriale vendore, mund dhe duhet të rishikohet. 

Kuptohet që, për këtë nevojitet vullnet politik për të prerë urat e kontrabandistëve, evazionistëve apo grabitësve të pasurive kombëtare dhe fondeve publike me politikën, sepse duhet folur shkoqur: me gjithë premtimet e mëdha dhe propagandën e dy viteve të fundit, thuajse asgjë nuk ka ndryshuar sa u takon kapaciteteve menaxheriale dhe pranisë së korrupsionit në radhët e administratës tatimore e doganore. Kështu që, mendoj se qeveria duhet mbështetur, që sistemi të bëhet më funksional dhe të ndalohet rritja e mëtejshme e tatim-taksave, që nëse do të bëhet, rrezikon ta zgjasë më tej stanjacionin ekonomik që po përjetojmë dy-tri vitet e fundit.

Cilat janë pritshmëritë, a do ketë ndikim ky aksion në realizimin e parashikimit të qeverisë për të ardhurat?
Mendoj se duhet të dallojmë qartë dy aspekte themelore. Nëse bëhet fjalë për zbatimin e kuadrit ligjor në fuqi, personalisht nuk jam optimist nëse ky “aksion” do të sjellë ndonjë rezultat, për të mos thënë që, nëse do t’u drejtohemi biznesit të vogël dhe të mesëm (siç e sqarova më lart), kjo mund të jetë tejet inproduktive. Por nëse do të shoqërohet me përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe asaj fizike, me rritjen e kapaciteteve dhe ndëshkimin e korrupsionit në radhët e drejtuesve dhe inspektorëve të DPTT dhe Doganave, si dhe me përmirësimin e legjislacionit fiskal për ta përshtatur me praktikat më të mira të BE-së dhe me përvojat rajonale, mendoj se në periudhën afatmesme mund të
jetë një kontribut i rëndësishëm me stabilizimin e financave publike.

Të mos harrojmë, se rritja e taksave e shënuar gjatë dy viteve të fundit ka ndikuar njëkohësisht edhe në rritjen e informalitetit, si dhe nxitjen e kontrabandës dhe evazionit fiskal gjithashtu. Studime tonat dhe të të tjerëve tregojnë se evazioni në një shkallë të konsiderueshme krijohet në momentin e kalimit të mallrave nga importi në tregun e brendshëm. Atëherë, çfarë pengon që të shkrihen administrata tatimore dhe ajo doganore në një të vetme, të ndërthuren bazat e të dhënave e bizneseve, të qarkullojë lirisht informacioni etj.?!
Natyrisht, kjo kërkon vullnet politik për të vepruar nga qeveria me shumë sesa përdorimi vend e pa vend i kërcënimit për burgosje i sipërmarrësve, nga të cilët në fakt, varet dukshëm jeta ekonomike e vendit, si investimet, punësimi, kontributet në taksa e në sigurimet shoqërore etj., etj.

Grupet e interesit kërkojnë ulje të taksave për biznesin e vogël. Në kushtet në të cilat ndodhet buxheti i shtetit, a është e realizueshme kjo kërkesë?
Nuk jam në dijeni të kësaj kërkese, ndonëse gjithnjë komuniteti i biznesit kërkon ulje taksash, dhe kjo është e natyrshme. Personalisht mendoj se, më shumë se për ulje taksash, biznesi i vogël ka nevojë për mbështetje shtetërore, si në edukimin fiskal, në lehtësimin e deklarimeve periodike, në marrjen në konsideratë të lidhjes së ngushtë midis nivelit të të ardhurave dhe nivelit të taksave që paguhen, në krijimin e nxitësve fiskalë për punësimin, vetëpunësimin, për biznesin familjar etj.

Në këtë kontekst, mendoj se duhet hequr dorë nga ideologjizimi i panevojshëm i tatim-taksave, i shprehur në konceptin e tatimit progresiv, por duke analizuar problematikën e krijuar posaçërisht gjatë dy viteve të fundit (dhe që mendoj se implikimet në rritjen e evazionit, korrupsionit dhe kontrabandës do të jenë edhe më të mëdha në të ardhmen nëse do të ruhet ky sistem), duhet të shihet mundësia e rikthimit te taksa e sheshtë, por me një nivel më të rritur, p.sh. në nivelin e 12%. Kuptohet se, për këtë nevojitet më shumë diskutim në rrethet e ekspertëve, me objektivitet dhe
realizëm dhe larg tautologjisë politike, që nuk ndihmon në miradministrimin e ekonomisë sonë kombëtare dhe buxhetit të shtetit.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: