Prefekti i qarkut të Korçës Nertil Jole sërish bëhet iniciator për të ndihmuar njerëzit në nevojë, banorë të këtij qarku. Pas një kronike televizive ku paraqitej situata e rëndë e një familjeje në Devoll, Prefekti Jole kontaktoi disa fondacione dhe sipërmarrës, që mund të ndihmonin, njëri prej të cilëve shprehu menjëherë gatishmërinë.
Një fondacion në Korçë është gati të rindërtojë shtëpinë e shkatërruar, të japë një pension një vjeçar dhe të paguajë ilaçet për të sëmurët e familjes për një vit.
“Falënderoj drejtuesin ekzekutiv të fondacionit ‘Duart që Sigurojnë’, Plator Çollaku. Falë bujarisë së tij, brenda kësaj jave do të nisin punimet për rikonstruksionin total të shtëpisë së familjes Sejdo në Devoll. Janë siguruar ilaçet për gjithë familjarët dhe pension për një vit. Falënderoj edhe kreun e Bashkisë së Devollit Eduard Duro dhe Nënprefektin Henrik Rusi për bashkëpunimin”, shkruan Prefekti Jole në rrjetet sociale.
Nuk është hera e parë që Prefekti Jole përfshihet në iniciativa të tilla për të nxitur sipërmarrës e fondacione të ndryshme të ndihmojnë njerëz në nevojë. Në fundin e vitit 2022 ai realizoi dërgimin e 4 kontejnerëve në fshatin Shtyllë të Korçës, për strehimin e përkohshëm të 3 familjeve, shtëpitë e të cilave u dogjën nga zjarri.
Po ashtu një familje me 8 anëtarë në fshatin Panarit të Korçës që jetonte në kushte mjaft të vështira, falë përpjekjeve të Prefektit Jole do të ketë një banesë të re.
Jole siguroi financim nga një donator i huaj dhe me ndihmën e një subjekti privat në Korçë, në pranverë do të punohet për ndërtimin e banesës së re për 5 fëmijë, prindërit dhe gjyshen e tyre.